Pacientët e Onkologjikut vuajnë mungesën e ilaçeve të shtrenjta
Pacientët e Spitalit Onkologjik në QSUT prej tre javësh vuajnë mungesën e barnave të shtrenjta. Në farmacinë e këtij spitali mungon pothuajse pjesa më e madhe e barnave Citostatike. Mungesën e barnave e pohojnë edhe vetë mjekët e pavijonit por edhe familjarët e të sëmurëve, të cilët shprehen se në mungesë të këtyre barnave detyrohen t’i sigurojnë ato në farmacitë jashtë QSUT-së duke i blerë me çmime të larta ose i porositin jashtë vendit tonë. Ankesave të shumta të pacientëve dhe të mjekëve të Onkologjikut, burimet zyrtare në Drejtorinë e Spitalit “Nënë Tereza” dhe në farmacinë qendrore të këtij spitali i’u përgjigjen se problemi qëndron në tenderimin e këtyre ilaçeve dhe në ligjin e prokurimeve të tyre. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë Spitalore në QSUT, në këtë vit buxheti për citostatikët është më i madhi që është miratuar ndonjëherë. Megjithëkëtë, sërish pacientët nuk po gjejnë shpëtim nga mangësitë. Sipas ligjit të prokurimeve, tenderi i ilaçeve do 45 ditë t’i sigurojë ato, nga dita e raportimit për mungesën e tyre. Problem tjetër për pacientët është mungesa e pullës së sigurisë në barnat citostatike që blejnë në farmacitë jashtë QSUT-së. Sipas tyre ato nuk janë tërësisht të sigurta pasi nuk kanë as pullë sigurie as pullë spitalore, çka do të thotë se ato janë futur kontrabandë dhe çmimi i tyre nuk është ai reali.
Mungesa
Medikamentet që mungojnë në spitalin Onkologjik janë: interferoni, kseloda, doksarubicina, cisplatina, vigona, deksametazoni, oksaliendoksani, bleomicina, taksoteri etj, kushtojnë nga 100 lekë deri ne 2000 lekë të reja. Barnat citostatike më të lira janë qetësuesit, medikamentet e kimioterapisë, mamografisë, ato që merren para ciklit me reze si dhe ato që parandalojnë të vjellat e shpeshta që ka një i sëmurë me kancer në organet e brendshme. Ndërsa për trajtimin e mëtejshëm të këtyre sëmundjeve shumica e medikamenteve janë shumë të shtrenjta, ato i kalojnë shifrat 500-1800 euro për një seancë terapie (800 euro kushton kseloda, medikamenti që trajton pacientët më kancer në stomak). Ndërkohë që pacientët janë të detyruar të shpenzojnë shifra të konsiderueshme çdo ditë për t’i siguruar këto medikamente në farmacitë shumë afër QSUT-së. Në farmacinë qendrore të Qendrës Spitalore Universitare “ Nënë Tereza “, thonë që këto medikamente do të sigurohen shumë shpejt dhe se janë në proces tenderimi, por pa dhënë data të sakta. Lista e medikamenteve që mungojnë është shumë më e gjatë po t’iu referohesh të afërmve të pacientëve që shprehen se vetëm disa nga ilaçet që i’u japin mjekët arrijnë t’i gjejnë falas në farmacinë e Pavijonit të Onkologjikut dhe se shumicën prej tyre i sigurojnë duke i blerë në farmacitë jashtë spitalit. Këtë nën zë e konfirmojnë edhe mjekët e këtij pavijonit, të cilët pranojnë se për shkak të mungesës së medikamenteve shpesh janë të detyruar të shtyjnë edhe trajtimet e pacientëve që ndodh të jenë në gjendje terminale.
QSUT, pacientët e talasemisë vuajnë mungesën e gjakut
Mungesa e gjakut bën që pacientët shpesh herë të kthehen në shtëpi pa e kryer transfuzionin
Talasemikët jetojnë çdo ditë me friken e infektimit nga virusi HIV, hepatiti B ose C
Më shumë se 280 të sëmurë talasemikë që kryejnë transfuzionin e gjakut një herë në 3-4 javë në Qendrën Spitalore Universitare vuajnë mungesën e gjakut. Disa prej tyre tregojnë se për shkak të mungesës së gjakut në spitale këto muajt e fundit, shpesh detyrohen të kthehen në shtëpitë e tyre pa e kryer transfuzionin. Por ka të tjerë që e sigurojnë gjakun duke e blerë ose nga të afërmit e tyre. Pjesa më e madhe e të sëmurëve me talasemi jetojnë në qytete të ndryshme të vendit dhe për shkak të mungesës së gjakut detyrohen të udhëtojnë drejt Tiranës çdo 3 javë. Ata shprehen se shpenzimet janë të pa përballueshme dhe u bëjnë apel instancave kompetente të marrin masa për t’iu ardhur në ndihmë. Talasemikët çdo 20 ditë duhet të kryejnë transfuzionin, por kjo periudhë sipas tyre nuk zbatohet asnjëherë dhe në të shumtat e rasteve atyre i’u duhet që të përballen me debulesa të trupit, dhimbjet e gjunjëve dhe shumë probleme të tjera. Sikur të mos mjaftonin gjithë këto probleme ata shprehen se jetojnë çdo ditë me friken e infektimit nga virusi HIV, hepatitit B ose C, apo sëmundje të tjera që transmetohen me anë të gjakut, duke mos pasur siguri të nevojshme për cilësinë e tij. Infeksionet e ndryshme, të cilat merren gjatë transfuzionit të gjakut, vazhdojnë të kërcënojnë edhe sot talasemikët, megjithëse kryhen një sërë analizash për gjakun që ata marrin.
Sëmundja
Talasemia është një çrregullim i trashëguar i gjakut. Shifrat zyrtare tregojnë për rreth 500 talasemikë në Shqipëri dhe sipas statistikave numri i të prekurve me këtë sëmundje shkon deri në 80 persona në vit. Pjesa më e madhe e të prekurve janë fëmijë dhe adoleshentë por që nuk përjashtohen as moshat madhore. Kjo sëmundje është një nga sëmundjet gjenetike më të përhapura në botë. Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë (OMS), përkujton çdo vit në 8 maj luftën që bëhet kundër talasemisë. Kjo organizatë vlerëson se çdo vit lindin më tepër se 100 000 fëmijë të prekur nga kjo sëmundje, në gjendjen homozigotë, në mungesë të mjekimit. Kjo me tepër në zonat e disa fshatrave nëpër botë, ku nuk ekziston as kujdesi mjekësor primar. Talasemia ul sasinë e hemoglobinës (rruazave të kuqe) në trupin e njeriut dhe mund të sjellë në këtë mënyrë si rezultat, pamundësinë që rruazat e kuqe të çojnë në mënyrë të mjaftueshme oksigjen atje, ku ai është i nevojshëm. Kjo shkakton anemi (pagjakësi) dhe në rast se nuk mjekohet, zemra dhe organe të tjera në trup do të "mbarojnë" së funksionuari, si rezultat i mungesës së oksigjenit. Transfuzioni i rregullt i gjakut është i vetmi mjekim i përshtatshëm deri tani për talaseminë. Sëmundja e talasemisë parandalohet vetëm nëpërmjet një analize të thjeshtë gjaku, te çiftet e reja për të parë nëse janë bartës ose jo të talasemisë duke marrë kështu masa për të mos sjellë në jetë fëmijë talasemikë.
25 Gusht 2010