Koha për të qenë seriozë
Një zhvillim i madh në historinë moderne të Ballkanit ndodhi më 22 korrik, kur mekanizmi ndërkombëtar ligjor – Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë – e zgjedhur nga vetë Serbia, i dha kësaj të fundit një humbje totale në raport me Kosovën.
Vendimi i GJND-së nuk i ka dhënë Beogradit as koncesionin më të vogël. Gjykata e ka bërë të qartë se pozicioni i Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës është i bankrotuar.
Politikanët e mençur apo kompetentë në Beograd duhej ta kishin parë këtë si një shenjë se ka ardhur koha për ta ndryshuar politikën ndaj Kosovës. Mirëpo, në vend të kësaj, ministri i jashtëm Vuk Jeremiq, po vazhdon me cirkun e tij medial ndërkombëtar dhe planet për paraqitjen e një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, muajin e ardhshëm. Madje, edhe lideri opozitar nacionalist, Tomisllav Nikoliq, e ka cilësuar këtë rezolutë si “vetëvrasje politike”.
Ka pasur edhe shenja të tjera që Beogradi nuk e ka kuptuar mesazhin e dhënë në GJND. Zyrtarët serbë vazhdojnë të nxisin provokime duke vizituar Kosovën, zyrtarisht për arsye fetare apo personale, por duke thënë deklarime politike gjatë vizitave që bëjnë.
Më 18 gusht, autoritetet e zgjedhura të Kosovës i dëshmuan Beogradit dhe botës se janë ngopur me ndërhyrje të këtilla nga jashtë dhe ndaluan hyrjen e zyrtarëve serbë në territorin e Kosovës. Zëdhënësi i Qeverisë ka thënë qartazi se “çdokush (nga Serbia), pavarësisht nga hierarkia politike, që hyn në Kosovë, në cilësinë zyrtare, do të arrestohet dhe dëbohet nga policia”. Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, ka nënvizuar ndërkaq se Qeveria ka vendosur ta ndërmarrë këtë hap, sepse zyrtarët serbë “kanë keqpërdorur vizitat e tyre në disa raste. Ata kërkonin të vizitonin Kosovën për qëllim fetare, por gjatë gjithë kohës jepnin deklarime politike. Kjo është arsyeja pse ata ia mbyllën derën vetvetes”. Gjithashtu, në ditët e fundit, ka filluar të qarkullojë një dokument misterioz dhe i panënshkruar, për të cilin thuhet se është deklaratë e pavarësisë nga serbët e Kosovës.
Nuk do ta komentoj përmbajtjen e këtij teksti, apo faktin se kush mendoj se qëndron prapa tij, përveç se do të nënvizoj se askush në Kosovë nuk duket se e ka marrë këtë dokument seriozisht. Në cilindo rast, duket qartë se ka njerëz që synojnë të nxisin provokime politike me dokumente të këtilla. Ka njerëz, të cilët duan që bota të harrojë se çfarë tha GJND-ja më 22 korrik.
Thirrje për lidership
Por, askush nuk duhet të harrojë. Serbia nuk duhet të harrojë dhe duhet të mëtojë normalizimin e raporteve me Kosovën, për hir të secilit, përfshirë këtu edhe pakicën serbe në Kosovë. Nëse Beogradi ende mendon se Kosova është Serbi, atëherë le ta dëshmojë, jo me rezoluta dhe provokime, por duke treguar se Serbia zyrtare ka vullnetin dhe pushtetin ta spastrojë veriun e Kosovës nga joligjshmëria. Nuk e kanë bërë kurrë një gjë të këtillë – me çka kanë ndihmuar të dëshmojnë se Kosova NUK është Serbi.
As Bashkimi Evropian nuk duhet të harrojë. Ka ardhur koha që burokratët kolonialë të UNMIK-ut të largohen dhe që BE-ja të heqë dorë nga fiksioni se EULEX-i është neutral karshi statusit të Kosovës. EULEX-i duhet të arsyetojë praninë në Kosovë, duke ndërmarrë masa konkrete për të integruar veriun institucionalisht me pjesën tjetër të vendit. Strukturat paralele në veri janë të paligjshme dhe nën presionin e komunitetit ndërkombëtar, duhet të zëvendësohen me institucione të zgjedhura në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës. Ka ardhur gjithashtu koha për Bashkimin Evropian të instalojë disiplinë në radhët e veta për të mundësuar zhvillimin politik. Asgjë nuk ndodh në BE pa mbështetjen e Francës e Gjermanisë ose pa kundërshtimin e tyre. Parisi dhe Berlini duhet t’ia bëjnë të qartë Athinës, Madridit dhe të tjerëve se ka ardhur koha që t’u japin fund sjelljeve të tyre fëmijërore në raport me Kosovën dhe ta njohin shtetin e ri.
Greqisë gjithashtu duhet thënë t’i ndalë politikat obstruksioniste në raport me Maqedoninë. As Spanja, as Greqia nuk janë në gjendje politike apo ekonomike në këtë vit të krizës mbi euron, ta kundërshtojnë Gjermaninë apo Francën. Berlini dhe Parisi tani duhet të marrin lidershipin në BE dhe të ndihmojnë në vendosjen e një paqeje reale, stabiliteti dhe prosperiteti në Ballkan, në vend të lojërave politike nga shekulli XIX.
WP: Gratë marrin në dorë fuqinë bërthamore
“Washington Post”
“Kur Rozë Gotemoler filloi ndërmjetësimin për arritjen e një pakti të ri me Moskën lidhur me çështjet bërthamore, pyetjet që iu drejtuan diplomatëve amerikanë ishin ato të zakonshmet, e që lidheshin me mbrojtjen raketore, mbushjet bërthamore dhe kontrollin e tyre. Por, në mes të bisedimeve, një nga gjeneralët rus pyeti se, “si ka mundësi që keni kaq shumë gra në delegacion?” . Për habinë e rusëve, një armatë e diplomateve amerikane ishin në tryezën e bisedimeve. Gotemoler drejtoi delegacionin amerikan që arriti në mars paktin e ri me rusët. Zëvendësja e saj ishte një tjetër diplomate amerikane, Marsi Ris. Dy shkencëtaret kryesore amerikane ishin gjithashtu femra. Në fund të bisedimeve erdhi për të përmbyllur marrëveshjen Elen Tausher, nënsekretare shteti.
Delegacioni amerikan pasqyronte ndryshimin që ka ndodhur gjatë dekadave të fundit në postet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, e që historikisht janë cilësuar si pjesë e botës mashkullore. Njëzetepesë vjet pas deklaratës së ndihmësit të Ronald Reganit se “gratë nuk i kuptojnë peshat e rënda”, duket se shumëçka ka ndryshuar. Amerikanet qartësisht i kuptojnë politikat bërthamore. Madje, ato i drejtojnë këto politika.
Gratë kanë marrë poste kyçe në çështjet bërthamore si në Pentagon edhe në Shtëpinë e Bardhë. Madje, dhe projekti “Indispensable Man”, tashmë drejtohet nga një grua. Ajo është Karin Luk që ndihmoi zhbërjen e programeve bërthamore të Libisë.
Zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm pohojnë se ndryshimet në politikat gjinore nuk janë rezultat i administratës Obama. Gradualisht gratë që filluan karrierën në çështjet e sigurisë në shërbimin ushtarak e diplomatik, por dhe në institutet e ndryshme në vitet ’70 e ’80,ë tani janë në poste drejtuese. “Nuk e kemi arritur suksesin brenda natës”, thotë Susan Burk, 34-vjeçare, drejtuese e mbikëqyrjes së Paktit për mosshumimin e armëve bërthamore. Ekspertët bërthamorë hedhin poshtë idenë se dhënia e një hapësire më të madhe grave ka çuar në ndryshimin e politikave, ndonëse klisheja se gratë janë më paqedashëse se burrat ende sundon. Ajo që mund të thuhet është se gratë në këto struktura kanë zhvilluar një stil pune më bashkëpunues. “Gratë janë ndoshta më të dhëna që të punojnë në ekip, çfarë është jetike nëse synoni negociata të frytshme”, thotë Laura Kenedi, ambasadore e SHBA-ve në Konferencën për Çarmatimin në Kombet e Bashkuara në Gjenevë. Kenedi vetë e ka nisur karrierën diplomatike në vitin 1972, tri vjet pas heqjes së kufizimit për karrierë diplomatike për gratë e martuara. “Ka pasur shumë pak gra në Departamentin e Shtetit në atë kohë. Gjatë viteve kanë ndodhur ndryshime të jashtëzakonshme”, thotë Kenedi. Pavarësisht arritjeve, gratë amerikane janë ende larg arritjes së barazisë me burrat kur vjen puna te postet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare. Përveç kësaj, gratë profesioniste përballen me një sfidë unike, siç është baraspeshimi i punës dhe familjes. Nga ana tjetër, Gotemoller thotë se gjatë bisedimeve të fundit në delegacionin rus kishte disa gra. “Gjërat po ndryshojnë edhe në qeveritë e tjera”, thotë Gotemoller
25 Gusht 2010