Pacientët infektohen edhe në spital, Vasili: Në 2010 gati një plan masash

Tiranë, 16 tetor NOA Pacientët marrin infeksione edhe në spital.
Të paktën 33 për qind e pacienteve që shtrohen në Qendrën Spitalore universitare Nënë Tereza në Tiranë marrin infeksione në spital.
Kjo për shkak të mungesës së higjienës në pavijone dhe ngarkesat e larta me mikrobe në sallat operacionit.
Një fakt të tillë e ka pohuar sot edhe Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili i cili theksoi se parandalimi i infeksioneve shëndetësore është një punë e vështirë, por në fillim të vitit 2010 do të hartohet një plan masash, i cili do të shoqërohet edhe me buxhet.
"Do të bëjmë të pamundurën që në fillim të vitit 2010 të kemi planin e detajuar për të pasur një përballim të përditshëm të luftës kundër infeksioneve spitalore. Është betejë e vështirë, po duhet përballuar", tha sot Vasili.