E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Paralizohet” kurimi i pacientëve jashtë shtetit



Rreth 500 pacientë shqiptarë në vit i kërkojnë ndihmë Ministrisë së Shëndetësisë për t’u kuruar falas në Greqi dhe Turqi, pasi sëmundjet e tyre nuk trajtohen në vendin tonë, ndërkohë që në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruara më këto dy vende përfshihet dërgimi për kurim për vetëm 200 pacientë në vit. Sikurse të mos mjaftonte kufizimi në numër i kurimeve në kuadër të marrëveshjeve edhe kthimi i përgjigjeve zyrtare apo disponibiliteti i spitaleve vonon trajtimin e rasteve.

Kurimet

Janë pacientë, sëmundjet e të cilëve nuk gjejnë trajtim shëndetësor në vendin tonë. Si të vetmen shpresë gjejnë dërgimin për kurim jashtë vendit. Drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardh Spahia, shprehet: “Numri i kërkesave për kurim jashtë shtetit është rritur. Brenda një viti ka pasur deri në 500 kërkesa”.

Sipas Spahisë, pacienti që kërkon trajtimin jashtë, duhet fillimisht të plotësojë dokumentacionin në të cilin përfshihet epikriza dhe vendim komisioni nga QSU Tiranë. Pas kësaj, pala shqiptare nis në mënyrë të menjëhershme dokumentacionet e rastit në një nga spitalet e vendit që përfshin marrëveshja ose në të dyja vendet njëkohësisht për kurimin e pacientit. Pas paraqitjes së dokumentacionit, rasti niset për shqyrtim në spitalet e Greqisë dhe Turqisë.

“Pacientët zgjedhin vetë njërin nga dy vendet se kur të kurohen, ndodh që të dërgohet kërkesa në të dyja vendet. Pala shqiptare nuk humbet kohë, sapo pacientët plotësojnë dokumentacionin, ato dërgohen për shqyrtim në vendin ku kemi marrëveshjen, mirëpo ka probleme me mënyrën se si që funksionojnë, në lidhje me disponibilitetin që kanë spitalet, pasi ata funksionojnë me prenotim. Marrëveshja nuk parashikon rastet brenda ditës ose për 48 orë”, - shprehet drejtori i përgjithshëm në MSH, Bardh Spahia.

Ai thotë se për rastet që kërkohen të trajtohen në këto vende Turqia kthen përgjigje si pozitive ashtu edhe negative brenda 2-3 javëve, ndërsa Greqia brenda 1 muaji. Sipas Spahisë, aktualisht, për këtë vit, plani me Turqinë është mbyllur që në muajin qershor, pasi është plotësuar numri i kurimeve që janë dërguar, 100 pacientë.

Ndërsa me Greqinë dërgimet janë pezulluar përkohësisht, pasi ajo nuk kthen përgjigje. Deri më tani me këtë vend nga 48 kërkesa janë trajtuar 20 dhe 28 janë ende në proces.

Ndërkohë, MSH ka marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë edhe me spitalin pediatrik “Bambino Gesu” në Romë, ku në vit parashikon kurimin e 5 pacientëve shqiptarë, këta, në moshë të mitur. Rastet e trajtuara në këtë spital kanë qenë me leucemi akute.

Marrëveshjet

Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar marrëveshje me Greqinë prej vitit 2003 dhe me Turqinë që nga viti 1999. Prej vitesh këto dy vende trajtojnë pacientë, sëmundjet e të cilëve nuk trajtohen në spitalet e vendit tonë. Bazuar edhe në numrin e vendosur prej vendeve, mund të trajtohen deri në 200 raste, përkatësisht 100 në secilin vend. Dokumentet e nevojshme për të përfituar nga kjo marrëveshje janë epikriza dhe vendim komisioni, që të dyja nga QSUT-ja.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›