Formulari A3, çfarë përmban dhe si plotësohet
Sot është afati i fundit i aplikimit për marrjen e formularit A3 në drejtoritë apo zyrat arsimore rajonale në vend, ndërkohë që në datën 21 do të shpërndahet formulari së bashku me kuotat. Formulari A3 do të ndryshojë shumë pak në formë nga formulari A2, por do të ketë ndryshim rrënjësor në përmbajtje.
Si ta plotësoni
Burime nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bëjnë të ditur se ky formular do të ketë të gjitha degët ku kanë mbetur kuota të parealizuara, duke shënuar degën dhe në krah të saj në kllapa numrin e kuotave të mbetura bosh.
Ashtu si edhe në formularin A2, kandidatët do të kenë mundësinë e përzgjedhjes deri në 10 degë studimi, duke i renditur ato sipas preferencës së tyre. Në këtë mënyrë, ata do të vendosin numrin e preferencës së tyre (nga 01 deri në 10) në krah të degës që ata preferojnë dhe më pas numrin e degës përkatëse në kutizat bosh që janë vendosur në anën e djathtë të formularit A3, ku ndodhen 10 kuadrate me numrat rendorë përkatës nga 1 deri në 10. Këta numra rendorë përfaqësojnë numrin e preferencës.
Ashtu si me formularin A2, edhe në këtë rast, kur keni zgjedhur më pak se 10 programe studimi të preferuara, kutitë e tjera të preferencave mbushen detyrimisht me shifrën 000.
Përfituesit
Vendimi i Ministrisë së Arsimit u jep të drejtën e plotësimit të formularit A3, jo vetëm të gjithë atyre që kanë rezultuar jofitues gjatë fazave të mëparshme, por edhe atyre që dëshirojnë të ndryshojnë degë.
Ministria deklaroi se A3-shi mund të plotësohet nga “të gjithë kandidatët, të cilët: nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve për t’u regjistruar në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë në vitin akademik 2009-2010; janë përfshirë në listat e fituesve dhe nuk janë regjistruar në institucionet publike të arsimit të lartë në vitin akademik 2009-2010”. Gjithashtu, edhe për ata që “janë fitues të regjistruar në një program studimi në vitin akademik 2009-2010 dhe nuk preferojnë të ndjekin atë program studimi”.
Formulari A3 do të shpërndahet në DAR/ZA në datë 21 tetor 2009. Kandidatët, pasi ta plotësojnë, duhet ta dorëzojnë formularin A3 po në DAR/ZA deri më 26.10.2009.
“Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) në datën 30.10.2009 do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues të ndarë, sipas programeve të studimit përkatës, të renditur, sipas rendit zbritës të pikëve dhe të preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara”, - bën të ditur ministria.
Takim me Kserën
Ambasadori spanjoll: Përpjekje pozitive të Shqipërisë
Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, priti dje në një takim ambasadorin spanjoll në Tiranë, z. Manuel Montobbio, i cili premtoi se do të përcjellë tek qeveria e tij përpjekjet pozitive të vendit tonë, në prag të marrjes së Presidencës së Bashkimit Evropian nga Spanja. Në qendër të bisedës së dy bashkëbiseduesve ishte niveli aktual i bashkëpunimit, evidentimi i problematikës dhe shtrirja dhe forcimi i bashkëpunimit në të ardhmen. Ministri Ksera e falënderoi ambasadorin Montobbio për ndihmën që qeveria spanjolle i jep qeverisë shqiptare në fusha të tilla, si ajo punësimit të grave dhe të rinjve, barazisë gjinore etj. dhe shprehu angazhimin për ta forcuar këtë bashkëpunim. Ministri e njohu ambasadorin me prioritetet e ministrisë në fushën sociale dhe atë të punësimit për katër vitet e ardhshme. “Objektivi madhor i ministrisë, në këta katër vjet, do të jetë që, nëpërmjet politikave që hartojmë dhe programeve që zbatojmë, t’u vijmë sa më pranë shtresave në nevojë. Vërej me kënaqësi që edhe projektet e mbështetura nga qeveria spanjolle i shërbejnë këtij objektivi”, - u shpreh ministri i Punës. Ambasadori Montobbio, pasi e uroi ministrin për detyrën, vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Punës, veçanërisht në kuadër të projektit “Për riintegrimin e të rinjve emigrantë”, të financuar nga qeveria spanjolle. Ambasadori spanjoll, duke u ndalur në hapat që ka ndërmarrë Shqipëria në fushën e barazisë gjinore, theksoi se një nga sfidat në implementimin e legjislacionit bashkëkohor në këtë fushë është forcimi i strukturave përkatëse, duke ofruar mbështetje për realizmin e këtij objektivi.