E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmundjet ; “Lufta” kundër infeksioneve fillon me larjen e duarve



Larja e duarve është mënyra e vetme, më e thjeshtë, më e mirë, më e dobishme, efektive dhe ekonomike për parandalimin e përhapjes së baktereve dhe viruseve që mund të shkaktojnë sëmundje dhe vdekje që vijnë prej duarve të palara. Ndërkohë, nga vëzhgimet e bëra në mbarë botën, larja e duarve është në shifra të ulëta, në masën 34%, sidomos në pikat kritike ose të nevojshme. Prej dy vitesh, Kombet e Bashkuara kanë vendosur 15 tetorin si Ditë Botërore të Larjes së Duarve, me synim arritjen e një prej objektivave të mijëvjeçarit për reduktimin e sëmundjeve infektive, diarreike etj.

"Vetëm nëpërmjet larjes së duarve, me ujë të bollshëm e sapun, ne mund të pengojmë grumbullimin e baktereve të ndryshme dhe papastërtive që janë gjithkund rrotull nesh. Gjatë gjithë kohës duart janë në kontakte me objekte nga më të ndryshmet, që janë bartëse të shumë baktereve dhe mikrobeve, nga një person tek tjetri", - tha shefja e Promocionit në ISHP, Jeta Lakrori.

Shumë shpërthime apo sëmundje me origjinë nga ushqimet shkaktohen nga duart e palara. "Nga bakteret dhe viruset që ndodhen në duart tona, shkaktohen gripi, sëmundje pulmonare, hepatiti i formës A dhe shumë forma të diarreve", - theksoi ajo. Sipas Lakrorit, nëse komuniteti ndërgjegjësohet me një kulturë të tillë të pastërtisë, atëherë pakësohen rrisqet, jo vetëm të diarresë, por edhe të sëmundjeve të rrezikshme, si kolera dhe dizenteria, në masën 48-59% apo dhe pakësimi i rrezikut të infeksioneve të frymëmarrjes.

Britania e Madhe

14.500 euro për “Sue Ryder Albania”

Ambasadorja britanike i dorëzoi një çek prej 14,500 eurosh shoqatës bamirëse “Sue Ryder Albania” në një ceremoni në rezidencën britanike këtë pasdite. Këto para do të ndihmojnë punën që bën shoqata “Sue Ryder Albania” me të sëmurët terminalë dhe të moshuarit me sëmundje kronike. Fondet e dorëzuara dje nga ambasadorja për “Sue Ryder” u mblodhën në Ballon e Pranverës – një ballo bamirësie që stafi i ambasadës britanike organizoi në fillim të këtij viti. Ambasadorja tha se “Sue Ryder Albania” është një shembull i shkëlqyer ku shoqëria civile ndihmon në shërbime të tilla të rëndësishme, si kujdesi paliativ. Ajo theksoi se edhe njerëz të zakonshëm mund të arrijnë gjëra të jashtëzakonshme me aktivitet vullnetar, si në formën e mbledhjes së fondeve për kauza të vlefshme, si “Sue Ryder”, ashtu edhe duke ofruar vullnetarisht kohën dhe ekspertizën e tyre për ata që kanë nevojë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›