AKEP, çmimet e SMS 7 herë më shumë se kostot
Sipas përllogaritjeve të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike, tarifa e shumicës së mesazheve që kompanitë aplikojnë ndaj njëra-tjetrës është 7 herë më e lartë se kostoja. AKEP sqaron se rezultatet e modelit tregojnë, se kostoja për terminimin e mesazheve SMS është 0.58 lekë/SMS, e cila është shumë më e ulët se tarifa aktuale e terminimit prej 4 lekë/SMS. AKEP gjykon se tarifa aktuale e terminimit të SMS, në nivel 7 herë më të lartë se kostoja e ofrimit efiçent, ka ndikim tepër negativ në zhvillimin e konkurrencës për këtë segment të tregut dhe përfitimet e konsumatorëve për këtë shërbim. Meqenëse AKEP nuk ka kryer analizë për këtë shërbim, dhe nuk ka operatorë me FNT, gjykon që të japë tarifa rekomanduese për terminimin e SMS-ve, të cilat mund të aplikohen nga vetë operatorët celularë. Operatorët celulare mund të bëjnë reduktim të vullnetshëm të tarifave të terminimit të SMS-ve, nëpërmjet negociatave të cilat duhet të tentojnë aplikimin e tarifave maksimale sipas tabelës së mëposhtme. Ndërkohë AKEP ka filluar tashmë kryerjen e një analize për FNT për terminimin e SMS-ve dhe do të ndjekë procedurat e përcaktuara në ligjin nr. 9918 dhe Rregulloren për Analizën e tregut, si edhe rekomandimet e BE dhe praktikat rregullatore në këto vende për këtë shërbim, ka praktikë në disa vende të BE për rregullimin e tarifave të terminimit të SMS-ve në rrjetet celulare. AKEP, ka planifikuar që dokumenti i analizës për terminimin e SMS-ve të publikohet për konsultim publik rreth fundit të muajit Shkurt 2011, dhe sipas procedurës për konsultim dy mujor të analizës së tregut. AKEP mund të marrë vendime për FNT në këto tregje dhe masat rregulluese përkatëse në varësi të përfundimeve të analizës, rreth muajit Maj 2011. Vlen të theksohet se përcaktimet e Ligjit 9918, lejojnë AKEP të ndërhyjë në rregullimin e tarifave të shërbimeve edhe për operatorë që nuk kanë fuqi të ndjeshme në treg, dhe në këtë rast, bazuar në diferencën midis tarifës së terminimit dhe kostos dhe interesin publik, mund të justifikohet një ndërhyrje e tillë. AKEP do të monitorojë sjelljen e lojtarëve në lidhje me rekomandimin e mësipërm si dhe alternativat e ndërhyrjeve në rast të mos-reduktimit të vullnetshëm të tarifës së terminimit të SMS-ve nga operatorët celularë.