Rrëshqitje dheu në Pogradec, 30 familje gati të strehohen në çadra
mbylljen e një aksi rrugor si dhe disa familje që jetojnë me ankthin e vdekjes. Në një prononcim për gazetën prefekti i qarkut të Korçës, Andrea Mano ka bërë të ditur problematikën me të cilën është ndeshur Shtabi i Emergjencave, i cili është duke mbajtur situatën nën kontroll të plotë, të paktën me informacione për çdo ditë nga zonat që evidentojnë rrëshqitje të tokës apo përmbytje. Në disa komuna të Pogradecit, për shkak të rrëshqitjeve të masivëve nga ngopja e tokës me ujë si rezultat i reshjeve vijojnë probleme, duke paraqitur rrezik për banesat kryesisht në zonat e thella. Shtabi i Emergjencave Civile në prefekturën e Korçës është duke bërë gati për shpërndarje çadra për disa komuna në Pogradec, për strehimin e përkohshëm të familjeve. Prefekti Andrea Mano bën të ditur se evakuimi ka nisur në fshatin Laktesh në komunën Proptisht për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet. Sipas prefektit Mano, bëhet fjalë për të paktën 30 familje në këtë zonë që janë në rrezik, për të cilët janë marrë masa për shpërnguljen e tyre në rast të përparimit të rrëshqitjeve që kanë ardhur si pasojë e situatës së rënduar dimërore. Për të mundësuar strehimin për shkak të zonës tepër të thellë malore në këtë pjesë të Mokrës janë bërë gati çadrat dhe ka nisur evakuimi i një familje që ndodhet më pranë masivit të rrëshqitshëm. Ndërsa 30 familje do të jetojnë në çadra, ka probleme edhe në zona të tjera. Kështu informacionet që vijnë nga numri një i prefekturës së Korçës bëjnë të ditur se rruga e Moglicës vazhdon të mbetet e bllokuar për shkak të shembjes së urës lidhëse dhe sipas Manos duhet që në këtë zonë të ndërtohet një urë e re, pasi nuk ka asnjë mundësi kalimi për mjetet dhe toka në këtë zonë është ende e rrëshqitshme për shkak të formacionit joshkëmbor. Gjatë këtij viti ka patur reshje, të cilat kanë tejkaluar mesataren e 50 viteve të fundit. Situata problematike në rajonin tonë është krijuar si pasojë e këtyre rrëshqitjeve të pazakonta. Nga ana tjetër, fusha e Korçës për çdo vit që kalon bie nën nivel për shkak të përbërjes së saj torfike kënetore me djegien e saj. Ky vit ka patur më shumë përmbytje edhe për shkak të reshjeve që kanë qenë më të shumta. Me sigurimin e një fondi nga ana e Ministrisë së Bujqësisë do të bëhet thellimi i shtratit të lumit Devoll nga Maliqi deri në Lozhan, ku bëhet derdhja e këtij lumi për ti dhënë fund kësaj situate emergjente ku të paktën 2000 hektarë ndodhen nën ujë, thekson prefekti i Korçës, Andrea Mano.
I. Frasheri