Pacientët shqiptarë, me kartelë elektronike
Duke nisur nga sot, të gjithë pacientët në vend do të jenë të pajisur me kartela elektronike. Ky është një nga projektet e fundit publikuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Nëpërmjet një regjistri elektronik, do të mundësohet një evidentim i saktë i numrit të personave që mbulohen me shërbim bazë, sipas qendrave shëndetësore të kujdesit parësor. Ndërkohë që deri më tani numërohen plot 720 mijë persona të regjistruar. Qëllimi kryesor i këtij regjistri është evidentimi i saktë i ngarkesës së sëmundshmërisë kronike të diagnostikuar, si edhe i personave rezident dhe jorezident, për të cilët paguhen realisht mjekët e familjes. Në tjetër synim i rëndësishëm mbetet edhe krijimi i një baze elektronike të dhënash me popullatën e regjistruar pranë çdo mjeku familjeje, fakt që do ta ndihmojë ISKSH-në në një planifikim më të mirë të buxhetit, si edhe në përmirësimin e skemës së pagesës për mjekët. Procesi i regjistrit elektronik ka kaluar në dy faza specifike, ku e para konsistonte në regjistrimin e popullatës nga ana e mjekëve të familjes, me qëllim evidentimin e saktë të banorëve në zonën e tyre të mbulimit. Faza e dytë ka të bëjë me hedhjen e skedave të pacientit në regjistrin elektronik online, duke përmbushur dhe një nga prioritetet kryesore të qeverisë, siç është fusha e shëndetësisë", tha Elvana Hana, drejtoreshë e ISKSH-së.
Nga të dhënat e fundit janë regjistruar pranë mjekut të familjes në të gjithë vendin rreth 3.9 milionë njerëz. Përfundimi i këtij procesi, sipas drejtueses së ISKSH-së, do të ndihmojë në lëvizjen me lehtësi të popullatës dhe zbatimin e parimit të zgjedhjes së lirë të mjekut të familjes.
#