E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pack: BE ka bërë gabime me Kosovën

Deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack ka theksuar se BE s`ka bërë sa duhet që pesë vendet e saj anëtare ta njohin Kosovën. Ajo këtë e ka nënvizuar në Institutin e Prishtinës për Studime Politike (PIPS) në Prishtinë gjatë një forumi me studentët.

"Ne kemi bërë disa gabime. Kur them ne, nuk mendoj për veten por disa prej nesh. Mund ta përmendi emrin e Baroneshës Ashton e cila si Shefe e Politikës së Jashtme nuk ka bërë sa duhet që të ndikoj tek vendet. Është e pakuptueshme që pesë vendet anëtare nuk kanë lëvizur më herët drejt njohjes" ka thënë Pack.

Eurodeputetja është treguar mjaft kritike në raport me rolin e BE-së në Kosovë si dhe sjelljet e Beogradit në raportin për veriun e Kosovës.

Ajo ka thënë se "NATO e bëri punën e tij në Kosovë duke e çliruar vendin, por pastaj dështuan ndërkombëtarët duke lënë pas dore çështjen e pavarësisë së Kosovës".

Sipas Pack, tani edhe serbët është shumë më vështirë të binden për pavarësinë dhe shembujt e fundit në veri e tregojnë më së miri.

Ajo ka inkurajuar të rinjtë të punojnë në ndërtimin e një shteti funksional, ku do të luftohej korrupsioni dhe krimi organizuar ndërsa ka lavdëruar performancën e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga në sytë e ndërkombëtare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›