WSJ: Ridefinimi i kufijve në Ballkan

Evropa dhe SHBA me vite nuk kanë shprehur vullnet për të shqyrtuar ridefinimin e kufijve në Ballkan, për shkak të rrezikut nga konfliktet etnike dhe gjakderdhja, mirëpo kontesti i fundit midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë ka zbutur rezistencën e bashkësisë ndërkombëtare rreth kësaj ideje.
Kjo shkruhet në një shkrim të publikuar sot nga gazeta amerikane “Wall Street Journal”.
Sipas gazetës, me këtë do të mund të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm i dhunës që ka shpërthyer në pjesën veriore të Kosovës.
“Wall Street Journal” rikujton se ish-koordinatori i Paktit të Stabilitetit në Evropën Juglindore, Erhard Busek, ka qenë i pari që ka përmendur konceptin e ndryshimit të kufijve, ndërsa më pas kongresmeni amerikan Din Rorabaker ka propozuar shkëmbimin e territoreve dhe popullsisë mes Serbisë dhe Kosovës.
“Megjithatë, ndërsa këto ide mund të nxisin mundësinë e ndryshimit të politikës ndërkombëtare, ekziston rreziku që ndryshimi i kufijve të Kosovës do të hapte Kutinë e Pandorës në Ballkan”, shkruan “Wall Street Journal”.
Sipas gazetës, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi duke parë këtë situatë ka theksuar se nuk do të ketë ndryshim të kufijve, por ai gjithashtu ka hedhur poshtë edhe idenë për dhënien e statusit special apo autonomi për serbët në Kosovë.
“Derisa ndryshimi i kufijve mund të shihet si rrezik, vazhdimi i situatës status quo është shumë i rëndë dhe është mëse e qartë se Beogradi dhe Prishtina mund të prodhojnë zgjidhje të reja” thekson “Wall Street Journal”.
Gazeta amerikane përmend idenë e federatës midis Kosovës dhe Serbisë, një ide që siç thuhet ishte plasuar nga ministri serb Ivica Daçiç. “Ndërsa koncepti i federatës nuk do ti pëlqente as Beogradit dhe as Prishtinës dhe mund të duket i rëndë për tu zbatuar, një shtet federal nën kujdesin e plotë të BE-së do të bënte që të dyja palët të heqin dorë nga pozicionet ekstreme dhe të vazhdojnë të gjejnë kompromise kreative”, përfundon “Wall Street Journal”.