E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbatimi i ligjit për administrimin e objekteve të përbashkëta, mjaft i ndërlikuar

Nga Sadedin Çeliku

Vendet e zhvilluara, ku është dominante mirëqenia, kultura dhe edukata qytetare, bëjnë diferencën me vendet e pazhvilluara ose ato në zhvillim në procesin e shërbimeve në përgjithësi dhe atë të administrimit të banesave në veçanti.

Në vendin tonë janë miratuar qindra ligje, por ato ose nuk zbatohen fare, ose pjesërisht.

Pikërisht këtu fillon problemi, që parlamentarët tanë promovojnë ligje të parakohshme dhe të vështira për t’u realizuar në kushtet konkrete të vendit tonë.

Për ta çuar me tej idenë e këtij shkrimi desha të ndalem te taksat e reja që shtohen për banorët e pallateve, detyrat e të drejtat e pronarëve të banesës, kompetencat që do të ketë asambleja e banorëve në komunitet, tarifat që këto të fundit do të përballojnë, aftësinë paguese të qytetarëve dhe pasojat që dalin nga zbatimi i këtij ligji.

Ky projektligj i propozuar nga MPPTT është i parakohshëm dhe i pazbatueshëm.

Edhe ligji i antiduhanit e shumë të tjerë nuk gjetën zbatim, edhe pse parashikojnë sanksione.

Në vitin 1993, kur u privatizuan pallatet, nuk u mbajtën parasysh normat e amortizimit të banesave dhe në mënyrë të veçantë për ato të ndërtuara deri në vitin 1980. Ato iu nënshtruan reformës me mjaft probleme të trashëguara si në kanalizime, tarraca, shkallë, ujësjellës, instalime të tjera etj.

Ndryshimi i sistemit solli me vete krahas të tjerave edhe ndryshimin në mënyrën e jetesës. Qytetarët me ndihmën e djemve të tyre emigrantë bënë rikonstruksione të hyrjeve duke i sjellë ato në kushte optimale.

Sipërfaqet e përbashkëta mbetën pa rikonstruktuar e për pasojë me qindra e mijëra pallate kërkojnë fonde të mëdha dhe të papërballueshme për mirëmbajtjen e pallateve. Vështirë se dhe shteti do të mund t’i përballonte këto investime. Të favorizuar në këtë projektligj që ka gjasa shume shpejt të kthehet në ligj janë banorët që banojnë në pallatet e reja, por që edhe këto kanë problemet e tyre.

Projektligji ‘Për administrimin e objekteve të përbashkëta në ndërtesat e banimit’, i miratuar nga Këshilli i Ministrave ka mjaft mangësi.

Problemet fillojnë nga KRT e njësive vendore që lejet e ndërtimit i japin me gabime, në mënyrë të veçantë të sipërfaqeve të përbashkëta, si dhe lejet e shfrytëzimit nga ku bëhet hipotekimi apo regjistrimi i pasurisë.

Në përgjithësi ndesh që jepen leje, ku në mjediset e përbashkëta janë paraparë lulishte dhe mjedise gjelbërimi. Këto anashkalohen, jepet leja dhe merret në dorëzim dhe shpenzimet duhet t’i përballojë banori. Prishen trotuare, rrugë, ndotet mjedisi dhe askush nuk dëmshpërblen apo ta kthejë në gjendjen fillestare dhe përsëri duhet ta paguajë banori. Merren në dorëzim pa përfunduar shkallët dhe instalimet dhe përsëri fajin na e paska banori.

Banorët duhet të paguajnë tarifën e administrimit, edhe në rastin kur nuk banojnë në banesën e tyre, thuhet në nenin 10 të këtij projektligji. Sipas tij, pronarët duhet të lejojnë kryerjen e inspektimeve dhe të riparimeve të pronës së përbashkët brenda njësisë në pronësi të tij.

E njëjta logjikë ka funksionuar deri tani edhe për taksën e gjelbërimit, plehrave dhe taksën e pasurisë. Nuk mund të bësh asnjë veprim në njësitë vendore pa paguar ato taksa, edhe kur nuk banon dhe je jashtë vendit. E pakuptueshme dhe ngjason me vjedhjen që shteti i bën qytetarit vet.

I shkreti qytetar, duhet të ruhet nga OSSH, Albtelekomi, shoqëritë mobile, ujësjellësi dhe së fundi nga njësitë vendore, të cilët i faturojnë s’i t’iu teket, edhe nëse nuk banon apo ke vdekur.

Sipas këtij ligji zgjidhet një asamble (kryesi), e cila:

- Miraton kriteret dhe tarifën e administrimit, mënyrën dhe kohen e pagesës.

- Miraton paketën e administrimit për vitin ushtrimor.

- Merr vendim për mënyrën e administrimit të fondit të mirëmbajtjes.

- Autorizon kryesinë të lidhë kontrata në emër të saj.

- Miraton fondin rezerve duke i depozituar në një bankë.

- Miraton propozimet për dëmshpërblimet, kryesisht me kërkesë të të dëmtuarit.

- Kur i është shkaktuar dëm nga përdorimi i pakujdesshëm i një bashkëpronari tjetër.

Për moszbatimin e këtij ligji jepen sanksione në gjoba 10-15 mijë lekë të reja si për kushtet hijeno- sanitare, për mbrojtjen kundër zjarrit etj.

Po mirë xhanëm, e zgjidhëm këtë çështje me këtë ligj dhe në këtë moment a thua se Shqipërisë vetëm ky hall i ka mbetur apo duhet pak kohë?

Unë mendoj se jemi shumë shpejt dhe do të na krijojë shumë probleme e konflikte.

Emigracioni ka krijuar mjaft plagë sociale në mënyrë të veçantë te mosha e tretë, të cilët marrin një pension mesatar prej 13 mijë lekesh. Me këto i duhet të përballojë ilaçet, energjinë, telefonin, ujin, taksën e gjelbërimit dhe plehrave, taksën e televizorit, pasurisë dhe nuk e di se çfarë tjetër do të shpikim.

Gjithashtu, po të kemi parasysh se Shqipëria ka rreth 40% të papunë, si dhe faktorët e drejtpërdrejtë e të tërthortë që do të krijojë kriza globale, të bën të mendosh se është e pamundur përballja me këtë ligj.

Sondazhi i fundit i ZOGBY, krahas të tjerash, evidentoi shqetësimin e shqiptarëve lidhur me papunësinë, korrupsionin, rritjen e varfërisë që do të çojë në rritjen e krimit e mjaft probleme te tjera.

Miratimi i këtij ligji nuk merr parasysh asnjë faktor, përkundrazi e bën qytetarin edhe më të varfër.

Janë mbi 300.000 familje të varfra, ku 100.000 prej tyre trajtohen me ndihmë ekonomike me një vlerë qesharake dhe të tjerët mbushin listat e minimarketeve.

E pra, kjo e bën të domosdoshëm spostimin e miratimit të këtij ligji, pasi në të kundërtën do sjellë mjaft vështirësi në zbatimin e tij.

Po si mund të zgjidhet ky problem?

Bashkitë kanë në vartësinë e tyre ndërmarrjet komunale, të cilat në objektin e tyre kanë pasur mirëmbajtjen e pallateve dhe kryesisht sipërfaqet e përbashkëta.

Deri në vitin 1990 këto ndërmarrje kanë pasur pastruese shkallësh, bojaxhi etj. Në mjediset brenda apartamenteve paguante dhe përgjigjej vetë banori, kurse për ambientet e përbashkëta paguanin një tarifë të inkluduar në shumën e qerasë.

Pas këtij viti kjo punë u ndërpre qëllimshëm për t’i degraduar këto ndërmarrje dhe për t’ia kaluar këtë shërbim njerëzve që ushqejnë punën e zezë.

Mijëra pallate në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë, Elbasan e gjetkë mirëmbahen me punë të zezë dhe Inspektorati i Punës, një institucion në hije, nuk merr asnjë mase.

Shikoni Institutin e Sigurimeve që nuk siguron të ardhurat e për rrjedhojë pensionistet gjithmonë janë të rrezikuar.

A nuk do të ishte mirë që zbatimin e këtij ligji mos t’ia lini hallexhiut, por ta marrin ndërmarrjet komunale si kudo në botë? Në këtë mënyrë shërbimin dihet kush do ta bëjë, do zbatohen politika sociale dhe të diferencuara për familjet në nevojë, eliminohet puna e zezë dhe krijohen premisa për hapjen e vendeve të reja të punës.

Vetëm kështu do të rritet kualiteti i shërbimit dhe do të përafrohet me atë standard ku pretendojmë të integrohemi të gjithë ne shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›