E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pack: Kosova të krijojë një qeveri të qëndrueshme

Përfaqësues të Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje partive politike në Kosovë të formojnë fillimisht një qeveri të qëndrueshme e pastaj t`i kërkojnë Brukselit zyrtar qartësi për bisedimet e ardhshme me palën serbe. Deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack tha se krijimi i një qeverie të qëndrueshme është kusht për bisedimet me shtetin serb.

“Mendoj se ata duhet të formojnë një qeveri e cila nuk do të prishet në vjeshtë. Ky është një problem i madh dhe nuk e di se a do të mund ta zgjedhin këtë, por ky është një kusht. Pastaj, ata do të duhej t`i kërkonin zonjës Ashton të japë një ide se si mund të niset ky dialog”, theksoi Pack.

Në shtator të vitit të kaluar, pas miratimit të një rezolute nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes së cilës u bëhej thirrje të dyja palëve që të angazhohen në një dialog për çështjet e interesit të përbashkët me lehtësim të BE-së, u bë e qartë që një dialog të tillë do ta lehtësojë Bashkimi Evropian.

Mirëpo, eurodeputetja gjermane kritikoi afrimin e Brukselit zyrtar ndaj këtij dialogu pasi sipas saj diplomacia evropiane nuk është e përgatitur për të ndihmuar këtë proces.

“Problemi është që Kosova është tepër e dobët për të kërkuar diçka. Ajo e ka kuptuar se dialogu është kusht për shumë gjëra, por unë nuk shoh një axhendë të vërtetë për këtë dialog dhe nëse mund të flas haptazi, nuk shoh që përfaqësuesit e lartë në Bruksel të jenë përgatitur si duhet për të qenë ndihmues në këtë dialog”, theksoi ajo.

Prishtina dhe Beogradi, edhe pse kanë rënë dakort që bisedimet mes tyre të nisim pas formimit të institucioneve të reja në Kosovë, vazhdojnë të kenë pikëpamje kontradiktore lidhur me temat të cilat duan të diskutojnë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›