E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pack:Prishtina e ka keqkuptuar dialogun teknik

Dialogu teknik nuk nënkupton zgjidhjen e çështjeve politike e kushtetuese. Kështu ka deklaruar Doris Pack, deputete e Parlamentit Evropian, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ajo ka shtuar se, sa i përket ritakimit të delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit, për të vazhduar bisedimet për të ashtuquajtura çështje teknike, fillimisht duhet të ketë një rezultat.

“Nuk jam e sigurt nëse ka deri më tani ndonjë rezultat, sepse ekzistojnë probleme teknike. Ju e dini se librat kadastral janë ende në Beograd - gjë që krijon probleme për investime dhe shitjen e pronave... e kështu me radhë. Nuk e di se a është zgjidhur ky problem. Është gjithashtu çështja e lëvizjes së lirë dhe e kufijve - nuk mendoj se është zgjidhur diçka. Mendoj se kanë qenë bisedimet e para, tani do të kemi sërish bisedime dhe vetëm mund të shpresojmë që të dalë diçka nga ato”, ka thënë Pack.

Ajo ka thënë se “problemet ndërmjet Prishtinës e Beogradit, të cilat mund të zgjidhen në nivel teknik, do të duhej të zgjidheshin”.

“I përmenda një apo dy të tilla. Ka shumë mundësi për ta bërë këtë - për të mos i penguar më serbët e Kosovës që të jenë qytetarë të rëndomtë të Kosovës. Ka shumë mënyra që Beogradi të tregojë sjellje miqësore karshi fqinjëve - gjë që duhet ta bëjë po qe se dëshiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Çështjet tjera, si ajo e statusit të Kosovës, nuk janë çështje e dialogut aktual. Mendoj se çështjet teknike janë një pjesë e tyre dhe ato politike një tjetër”, ka deklaruar Pack, duke shtuar se kur të jenë zgjidhur çështjet teknike, mendoj se duhet të ketë një përpjekje të re për t’i zgjidhur problemet e tjera - për të nisur zgjidhjen e problemeve të tjera.

Pack ka theksuar se çështja e statusit, siç thotë ajo, “nuk besoj se ato mund të zgjidhet shpejt”.

“E njihni kushtetutën e Serbisë, e cila është shumë e qartë, andaj duket se kjo do të marrë më shumë kohë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se nuk do të duhej të ndërlidhej ky dialog me lehtësimin e regjimit të vizave.

“Lehtësimi i regjimit të vizave nuk ka të bëjë me Beogradin - ka të bëjë me Bashkimin Evropian e vendet e tij anëtare që duhet ta sigurojnë atë dhe me Prishtinën, e cila duhet të përmbush kërkesat për liberalizimin e vizave”, ka thënë Doris Pack.

“Prishtinës i duhet një udhërrëfyes, por kjo nuk ka të bëjë me dialogun teknik. Ne duhet të avancojmë në dialogun tonë me Kosovën dhe t’i japim mbështetje. Për mua, është e qartë se duhet që, vendit të fundit në rajon, së paku t’ia japim një mundësi për të marrë udhërrëfyesin dhe për të nisur përmbushjen e kushteve për të hyrë në regjimin pa viza”, është shprehur deputetja Pack, duke theksuar se ajo nuk e di se kur do të ndodhë kjo, “por nëse nuk niset kjo punë, as nuk mund të përfundohet”.

Pack ka komentuar edhe raportin mes dy fqinjëve, Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se suksesi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është i rëndësishëm për të dyja palët.

“Nëse nuk ke marrëdhënie të mira fqinjësore, si mund të hyjsh në Bashkimin Evropian?”, ka pyetur ajo.

Sipas saj, marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga parakushtet, sidomos për vendet që kanë pasur mosmarrëveshje në vitet e 90’ta, do të duhej të ishte e mundshme që të ulen së bashku dhe ta zhvillojnë një dialog në mes vete, të kenë marrëdhënie normale edhe pse njëri nga ata nuk mund ta njohë Kosovën si shtet të pavarur në këtë moment.

“Mendoj se ka shumë mundësi të tjera për të pasur marrëdhënie të mira. Kjo duhet të bëhet dhe kur të jetë bërë, atëherë krijohet një fillim i mirë për një hap të ri të Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Ne e kemi këtë interes, por Serbia duhet të përmbushë kushtet. Kështu ka qenë me Kroacinë dhe me vende të tjera, e kështu do të jetë edhe me Serbinë. Pa marrëdhënie të mira fqinjësore, ata nuk do të hyjnë në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Doris Pack.

Duke i komentuar deklarimet e autoriteteve kosovare të cilat kanë thënë se presin që në përfundim të këtij procesi, pra të dialogut, Kosova të njihet nga Serbia, ajo ka thënë se i gjithë ky proces i dialogut teknik, është keqkuptuar nga kosovarët.

“Mendoj se ata kanë keqkuptuar dialogun teknik. Dialogu teknik nuk nënkupton zgjidhjen e çështjeve politike e kushtetuese. Dialogu teknik është një gjë dhe Prishtina do të duhej të ishte e kënaqur nëse arrin rezultatet e nevojshme. Çështjet tjera duhet të zgjidhen me kohë - hap pas hapi”, ka thënë deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pack.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›