Pacolli: Kosova partner i rëndësishëm për Mbretërinë e Bashkuar

Presidenti i Kosovës Behxhet Pacolli ka deklaruar se populli dhe institucionet e Kosovës falënderojnë Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen që ia ka dhënë formimit dhe forcimit të Republikës së Kosovës.
Kjo deklaratë ka ardhur pas takimit të mbajtur me ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Ian Cliff, i cili të enjten i ka dorëzuar letrat kredenciale presidentit të Kosovës.
Pacolli tha se përkrahja e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka munguar asnjëherë dhe populli i Kosovës është me fat që ka një mik të tillë dhe këtë përkrahje nuk do ta harrojë kurrë.
Nga ana e tij, ambasadori Cliff tha se ai do të angazhohet për përforcimin edhe më tej të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve.
Ai tha se Mbretëria e Bashkuar do ta ndihmojë Kosovën të lëvizë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar dëshiron që ta shohë gjithë Ballkanin të integruar në Bashkimin Evropian.