E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli: Kthimi im në Presidencë, rivendosje e drejtësisë

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli nuk mendon se i është dëmtuar imazhi i tij si politikan nga fakti që u desh të largohej nga posti i presidentit të Republikës vetëm 35 ditë pas zgjedhjes.

Në një intervistë për Kosovapress, Pacolli ka thënë se nga Presidenca është larguar me imazh shumë më të mirë sesa më parë. Rikthimi i tij në Presidencë, sipas Pacollit, do të ishte rivendosje e drejtësisë, ndërsa për këtë pret mbështetje edhe nga partneri qeverisës. Pacolli ka folur edhe për lobimin, duke e konsideruar si sukses numrin prej 13 njohjeve, ndërsa Qeverinë aktuale, e ka quajtur më të mirën deri më tani.

Kosovapress: Z. Pacolli, si ishte një vit për juve si zëvendëskryeministër i Kosovës dhe si ka ecur lobimi gjatë këtij viti?

Pacolli: Në fakt këtë vit e kam përjetuar në role të ndryshëm, dhe mund të them lirisht se ka qenë një vit i rëndësishëm për jetën time politike në veçanti. Në krye të tij kemi pritur rezultatin e zgjedhjeve, të cilat zgjatën shumë. Gjatë asaj periudhe kam punuar kryesisht për lobimin. Më pas sipas një marrëveshje politike tërësisht të ligjshme në çdo vend normal, u bëra president sipas një procedure të rregullt në çdo shtet me kushtetutë të ngjashme me Kosovën. Ja nisa një pune të madhe për të realizuar idetë e mia, unë në Presidencë dhe miqtë e Koalicionit për Kosovë të Re, dhe kolegët e PDK-së dhe forcave të tjera qeverisëse në krye të punëve të ekzekutivit. Besoj se në 35 ditë lashë gjurmë të një presidence të re, që u prinë proceseve dhe nuk i shkon atyre nga pas. Kjo mbase nuk i ka pëlqyer dikujt, apo disave të cilët kanë dashur ta fusin Kosovën në krizë nëpërmjet meje, por unë nuk hyra në këtë lojë. I hapa rrugë zhvillimeve pozitive me marrëveshjen e re trepalëshe, zhvillime që do të ndryshojnë për mirë Kushtetutën e Kosovës dhe jetën shtetërore të saj. Po punoj tash për njohje të reja dhe për tërheqjen e investimeve të huaja për Kosovën. Diçka kemi bërë në fushën e njohjeve dhe mendoj se 13 njohje nuk janë pak. Mendoj se kjo qeveri është qeveria më e mirë e historisë politike të Kosovës pas çlirimit. Brenda 9 muajsh kemi arritur shumë. Mbi të gjitha i dhamë dinjitet Kosovës përballë Serbisë nëpërmjet masave të reciprocitetit. Nëpërmjet tyre u vu në lëvizje një proces që jo thjesht rriti ndërgjegjësimin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar për problemin e veriut, por dhe pati rritje të ndërgjegjësimit për pavarësimin tonë ekonomik nga Serbia. Shteti i Kosovës vendosi simbolet e veta në kufijtë me Serbinë, dhe ky është vetëm fillimi një procesi të pandalshëm të vendosjes përfundimtare të sovranitetit të Kosovës në të gjithë territorin.

Kosovapress: E keni nisur aktivitetin lobues si zëvendëskryeministër me ambicie për njohje të shumta, por kemi vetëm 13 njohje këtë vit?

Pacolli: Më lejoni të them se brenda pyetjes suaj reflektohet nga pak fryma e do mjediseve mediatike apo politike në Prishtinë, të cilët thithin cigaren mendueshëm dhe thonë: ky Pacolli pak njohje ka sjellë. Kur dikush si unë bën një premtim për numrin e njohjeve, mbështetet në një koniunkturë të caktuar ndërkombëtare. Kur ajo ndryshon befasisht dhe askush s’mund ta parashikojë, atëherë dhe shanset ndryshojnë. Në disa vende të rëndësishme që nuk e kanë njohur Kosovën ka zgjedhje, në disa të tjerë s’ka qeveri, sepse ka krizë, etj, etj. Do prisja më shumë mirëkuptim qoftë nga ata që kuptojnë sadopak nga marrëdhëniet ndërkombëtare, qoftë dhe nga ata që s’ja kanë haberin. 13 njohje në një vit – në fakt vetëm 9 muaj jetë e kësaj qeverie, janë shumë. Veçanërisht po të mbajmë parasysh se mes vendeve që na kanë njohur janë disa që e kanë kundërshtuar fuqimisht pavarësinë e Kosovës. U zgjerua numri i njohjeve në një kontinent si Afrika, ku Serbia ka ndikim të madh edhe për shkak të bizneseve të veta, që përfituan nga trashëgimia e ndërmarrjeve të dikurshme jugosllave. Na njohu Nigeria, një shtet shumë i madh. Na njohu Gaboni, ku ka dhjeta kompani serbe dhe mbi 30 mijë të punësuar serbë. Ju dhashë disa shembuj për t’ju treguar nëpërmjet jush, të gjithë skeptikëve të ditur dhe të paditur se thjesht duhet të tregojnë pak mirënjohje, për një aktivitet ku ka shumë lodhje, shumë shpenzime të mbuluara nga xhepi im dhe shumë përkushtim. Falë njohjeve ne kemi forcuar subjektivitetin e Kosovës në botë. Kemi mundur Serbinë në një terren të madh loje. Kjo s’është pak, dhe nëse dashakeqët s’më shprehin dot mirënjohje, atëherë le të heshtin. Unë nuk punoj për mirënjohje, e cila po më vjen nga gjithë anët e botës, ndërsa në vendin tim mbeten gjithherë të zëshëm dashakeqët. Në fillim të dhjetorit, unë isha në SHBA, në shtetin e Luizianës, ku u takova me autoritetet kryesore të shtetit, u nderova me disa tituj të “qytetarit të nderit”, të “kryebashkiakut të nderit”, me disa nderime akademike, etj. E njëjta gjë dhe në Filipine, kur në prani të mijëra njerëzve, në një transmetim live për shumë vende të Azisë ku jetojnë disa miliarda njerëz, unë u nderova me çmimin “Gusi Peace Prize International”. Flamuri i Kosovës u ngrit në sheshet e Manilës. A nuk është kjo diçka për të cilën kush e do Kosovën, duhet të ndihet krenar? Unë për veten time i ruaj si kujtimet më të mira këto nderime, jo thjesht për aktivitetin tim, por për Kosovën. Ndaj do i kërkoja dashakeqëve të heshtin, nëse s’dinë të japin mirënjohje.

Kosovapress: Për vitin e ardhshëm, a keni ndonjë strategji lobuese më të efektshme, që do të sillte më shumë njohje për Republikën e Kosovës?

Pacolli: Më falni, por dhe kjo pyetje juaja reflekton nga pak atë mentalitet të prapambetur që na pengon jo thjesht në gjykimin e aktivitetit tim, por dhe në frenimin e ecjes para të Kosovës. Strategjia ime e lobimit është një e vetme. Ajo mbështetet më së pari në personalitetin tim, në emrin tim, në të kaluarën time të suksesshme si ndërmarrës global. Ky personalitet më hap shumë dyer të nivelit të lartë, për të cilët Serbia duhet të lodhet shumë dhe s’ka mundësi t’i hapë. Nëse kjo e kaluar sipas eksperiencës sime është kyç i suksesit tim, si munden disa njerëz që të konsiderojnë si problem pikërisht këtë? Duhet kuptuar se ndikimi i shteteve aleate me ne, që është mjaft i rëndësishëm e dha efektin kryesor menjëherë pas njohjeve, apo në miratimin e mendimit këshillimor të Gjykatës së Hagës. Më pas miqtë nuk kanë bërë kushtëzime të forta, edhe pse në fund të fundit siç tregoi rasti i Palestinës, pa vullnet pozitiv të fuqive të mëdha Kosova s’mund të bëhet anëtare e OKB-së. Ndërsa lobimi im i mbështetur në këtë element që thashë, është shprehje e një lufte të gjatë diplomatike me Serbinë, të cilës ne i fitojmë shumë beteja. Pa modesti, por më duhet të them se dikush tjetër në vendin tim do ta kishte shumë të vështirë të hapte ato dyer. Ndërkohë s’duhet nënvleftësuar fakti se lobimi im edhe për shkak të së kaluarës sime është një lobim ekonomik. Po jua shpjegoj më qartë. Ju e dini se Jugosllavia e dikurshme ka patur shumë aktivitet ekonomik në Afrikë. Këtë aktivitet e kanë trashguar dhe ndarë mes veti kompanitë e ish-Jugosllavisë, mes të cilave ato serbe. Pse? Sepse nëse shtete të fuqishëm investojnë në Afrikë, projektet e tyre nuk mund t’i realizojnë me krahun lokal të punës, i cili është i pakualifikuar. As me punëtorë perëndimorë, të cilët kushtojnë shumë dhe në vendet e tyre, pa le të dërguar kaq larg. Atëherë kompanitë e disa vendeve ish-komuniste përdoren si nënkontraktore për realizimin e projekteve të ndryshëm. Këtë unë kam dashur dhe dua të bëj dhe për kompanitë kosovare. Ky ishte dhe rasti i Nigerisë.Atje unë u paraqita në emër të Qeverisë së Kosovës, në përmbushje të interesit të kompanive kosovare, së bashku me dy kompani të fuqishme franceze dhe gjermane, në krye të një konsorciumi që do të realizojë investime shumë miliardëshe në energjitikë, infrastrukturë, shtëpi sociale, etj. Paraqitja ime në një format të tillë, tipik i vendeve të mëdha perëndimore kur kryeministrat lobojnë për veprimtaritë ekonomike të vendeve të tyre, ishte baza e suksesit tim në Nigeri. Nigeria njohu Kosovën nëpërmjet njohjes së pozitës sime zyrtare, nëpërmjet ftesës për bashkëpunim ekonomik, hapjes së zyrave ekonomike në kryeqytetet respektive.

Kosovapress: Shumica e njohjeve që keni sjellë ju si zëvendëskryeministër, por edhe më herët sa keni qenë në opozitë, kanë qenë shtetet afrikane dhe aziatike, çka ju lidhur më shumë me këtë pjesë të botës?

Pacolli: Më duket se nuk është bash kështu. Ekipet tona lobuese janë të përhapur në gjithë globin, madje ne po punojmë dhe në drejtim të pesëshes së vendeve të BE-së që nuk na kanë njohur.

Kosovapress: A konsideroni se si president i Kosovës do të mund të sillnit më shumë njohje?

Pacolli: Do ishte shumë më mirë për Kosovën që një individ si unë, me karrierën e suksesshme biznesore të paraqitej para homologëve të vet me kostumin e presidentit. Në një rast të tillë, do të vihej në lëvizje një dinamikë krejt ndryshe në marrëdhënëniet e Kosovës me këto vende, sepse do të komunikohej në të gjithë rastet me nivelin më të lartë politik dhe institucional. Shumë vendime do të merreshin shumë më shpejt. Dmth. nëse unë tani, duhet të takoj dhe ministra, dhe homologë të mi, nëse do isha president do shkurtoja shumë rrugë. Por kujdes për shakaxhinjtë e përparimit në Prishtinë. Nuk është diçka e lehtë dhe e parëndësishme dhe të takosh ministra të jashtëm apo zëvendëskryeministra të vendeve që kanë popullsi dhjetëra herë më të madhe se Kosova. E kuptoj se dikush në rastin tim e konsideron si jodomethënës faktin se vetëm brenda këtij viti unë kam takuar dhjetëra presidentë, por përmasat e kësaj pune mund të kuptoheshin më mirë, nëse dikush prej Kosove do tentonte të bënte të njëjtën gjë. Në fund të fundit duhet të kuptojmë se Kosova është një vend i vogël, me rëndësi të kufizuar në arenën ndërkombëtare.

Kosovapress: A është dëmtuar imazhi juaj si politikan me rastin e zgjedhjes dhe largimit të shpejtë nga posti i presidentit?

Pacolli: Përkundrazi, unë mendoj se është rritur shumë. E ndjej këtë në sondazhet e shumta online, në kontaktet njerëzore brenda vendit, por dhe jashtë tij. E kam ndjerë veçanërisht në Shqipëri, ku shumë qytetarë atje janë habitur nga vendimet absurde që çuan në largimin tim. Por jetojmë në kohëra të çuditshme. Pra, jam larguar nga Presidenca me imazh shumë më të mirë sesa më parë, diçka që përbën burim force për mua. Aq e vërtetë është kjo, sa për të më frenuar mua, disa individë kërkojnë të bëjnë ndryshime kushtetuese që e çojnë Kosovën kah modeli i Afganistanit dhe Azerbaixhanit.

Kosovapress: Në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, a do të jeni sërish kandidat dhe a do të kërkoni mbështetjen e partnerit qeverisës, PDK-së?

Pacolli: Shikoni, unë e konsideroj angazhimin tim brenda institucioneve të Kosovës si një të vetëm e të pandërprerë, pavarësisht rolit. Por do ishte rivendosje e drejtësisë, do ishte maksimizim i efekteve të punës sime në dobi të Kosovës nëse unë do rikthehesha në atë detyrë të lartë. Shumë zhvillime pozitive do të nisnin me atë rast. Partneri ynë duhet dhe e ka kuptuar këtë.

Kosovapress: Marrëveshja me PDK-në për ndarjen e resorëve ministror nuk është realizuar ende. Kur do të realizohet, apo kjo do të shërbejë si “kredi” për të kërkuar nga PDK-ja mbështetjen për president?

Pacolli: Është e mijta herë që më bëhet kjo pyetje. Kosova ka boll probleme për të adresuar, sesa ky aspekt i parëndësishëm i marrëdhënieve kontraktuale brenda koalicionit. Imagjinoj se diçka ka ngecur për shkak të ndjeshmërive personale, por ajo që është më e rëndësishme është se kjo qeveri, më e mira e historisë politike të Kosovës ka arritur shumë suksese dhe se ministrat tanë janë më të mirët e saj.

Kosovapress: “Trepça” është një çështje që është përmendur shpesh në media, për të cilën keni problem me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, përmendet shpesh edhe Princi i Kentit, si një favorit i juaji për t’ia dhënë “Trepçën”. Çka të vërtetë në këtë drejtim dhe pse gjithë ky insistim i juaji sa i përket privatizimit të “Trepçës”?

Pacolli: Nga njerëzit e medias siç jeni ju pres lexim të plotë të ngjarjeve, jo lexime të pjesshme siç duket nga pyetja juaj. Me pak fjalë, pozicioni im është ky: unë nuk jam pro privatizimit, por jam për shëndoshjen e Trepçës, duke ja dhënë në menaxhim sipas ligjeve të tregut, një operatori me eksperiencë dhe pas disa vitesh të privatizohet me një vlerë mbi dhjetë herë më të madhe sesa vlera që diskutohet sot. A është kjo ide imja, një ide e çastit? A ka këtu ndonjë insistim me karakter vetiak, dhe të paarsyeshëm? Nëse do shikoni idetë e mia shprehur shumë kohë më parë në themelimin e UFORK-ut, në 1999, ju do shihni se unë jam shprehur në favor të një modeli të caktuar privatizimi, i cili parasheh shëndoshjen e ndërmarrjeve publike nëpërmjet partneritetit publiko-privat dhe pastaj privatizimi i tyre. Kjo metodë mban parasysh dhe atë se privatizimi i menjëhershëm i disa kompanive që kanë ekzistuar përpara çlirimit të Kosovës, do të thotë ngurtësim i të ardhurave në një fond jashtë vendit, që s’do të përdorej për të mirën e brezave të rinj. Një qasje të tillë unë e kam pasqyruar dhe në programin e AKR-së në 2007, në atë të 2010, pra unë jam koherent me idetë e mia. Kush thotë se brenda kësaj qasjeje, ka interes privat timin, është i çmendur. Nëse do kisha ndonjë interes privat, nëse do isha i kapur nga konflikti i interesit, atëherë do të mbështesja privatizimin e menjëhershëm. Por jo, mua më dhimbsen djersa e ballit, e brezave të mëhershëm të Kosovës, prona publike, ndaj ftoj të ndryshohet qasja e privatizimit të atyre aseteve që kanë mbetur pa u privatizuar. Siç e kam thënë më herët, kjo qasje e privatizimit të egër, ka sjellë vetëm varfëri. Ku konsiston ideja ime për privatizimin e Trepçës? Dhënie në menaxhim e minierës një kompanie me renome ndërkombëtare për këtë lloj pune; Zhvendosje e selisë shoqërore në Londër; Kuotim të kompanisë në bursë; Vënie mënjanë e një fondi për konfliktet e mundshme gjyqësore dhe privatizim i saj pas shëndoshjes së gjendjes. A e dini sesa do të vlerësohej kjo minierë sipas planit tim? Shumë herë më shumë, sesa kërkohet të shitet sot. Nga opinioni publik, nga mediat, nga kritikët e qeverisë, pres mbështetje për planin tim për Trepçën dhe jo kritika banale, të orkestruara nga dikush. I kuptoj kritikat e tyre ndaj meje, në ndonjë rast tjetër, por unë s’gaboj gjithnjë.

Kosovapress: Çfarë mesazhi do t’u dërgonit për vitin e ardhshëm, rivalëve dhe partnerëve politikë?

Pacolli: Mesazhin e paqes, e konstruktivitetit, e sinqeritetit në politikë, në marrëdhënie mes veti, apo në komunikimin me popullin. Ne duhet t’ja shpërblejmë këtij populli të durueshëm, vuajtjet e tij, me më shumë punë, me më shumë djersë, me më pak mburrje. Kosova ka akoma nevojë për një politikë të qetë, për më pak grindje të politikës. Ende nuk janë zgjidhur problemet kryesore të shtet-formimit, ndaj s’mund të imitojmë vendet që i kanë zgjidhur prej kohësh këto probleme. I uroj gëzuar të gjithëve, dhe përmbyllje sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave, në mënyrë që kosovarët të mos e përjetojnë akoma edhe më në mënyrë traumatike, lirinë e arritur.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›