Strukturat paralele vendosin për referendumin

Në tre, nga katër komunat veriore të Kosovës, sot do të mbahen mbledhjet e të ashtuquajturave kuvende komunale, në të cilat delegatët do të shqyrtojnë iniciativën rreth mbajtjes së referendumit, në të cilin qytetarët serbë do të përcaktoheshin nëse duan t’i pranojnë institucionet e Kosovës.
Kryetari ilegal i komunës së Leposaviqit, Branko Ninic ka thënë se në këtë qytet nuk do të mbahet një mbledhje e tillë, ngase ai është i rezervuar ndaj idesë që qytetarët e veriut të përcaktohen në formë plebishitare për çfarëdo çështje, pra edhe për këtë.
Sipas tij, asnjë komunë në Serbi nuk ka mandat të organizojë referendum dhe se veprimet e secilit pushtetit lokal në veri të Kosovës duhet të jenë në harmoni me politikat shtetërore të Serbisë.
Ndryshe, pas takimit të përbashkët të krerëve të strukturave paralele në veri të mbajtur të dielën në Zvecan, është thënë se një referendum i tillë do të mbahet sipas të gjitha gjasave në ditën e pavarësisë së Serbisë, përkatësisht më 15 shkurt. (KP)