E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli: Puskari, jo më këshilltari im

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli ka deklaruar se nuk ka shkelur Kushtetutën, sepse sipas tij në mënyrë të njëjtë janë zgjedhur edhe dy ish presidentët Ibrahim Rugova dhe Fatmir Sejdiu.
Pacolli ka pranuar se atë ditë ka komunikuar me këshilltarin e tij Esad Puskar përmes mesazheve elektronike, por që tani nuk e ka më këshilltar. “Por jam i lumtur që në ato mesazhe nuk ka pasur asgjë të fshehtë, thjeshtë kam kërkuar çfarë të bëjmë në raundin e tretë, pra të kërkojë pauzë apo si duhet të veprojmë. Pauzën e ka kërkuar Grupi parlamentar i PDK-së, dhe pas saj, gjatë votimit në raundin e tretë, unë kam fituar votat për President”, ka thënë Pacolli.

Presidenti është shprehur i kënaqur që tani në Kosovë ekziston një opozitë e fortë dhe ka një respekt të madh për të gjitha partitë. “Kam marrëdhënie të mira me partitë opozitare. Më vjen keq që Ramush Haradinaj ndodhet në Hagë. Ai dhe familja kanë dhënë shumë për Kosovën”, ka thënë Pacolli, duke synuar të vendos marrëdhënie edhe me “Vetëvendosjen” pasi ka respekt për Kurtin.

Duke folur për të kaluarën, ai ka thënë se hetimet para 1999-s nuk e kanë pasur për cak atë por ish presidentin rus, Boris Jeltsin. “Hetimet që përfolen janë bërë pak para bombardimeve të NATO-s në Kosovë, me kërkesë të një prokurori rus. Hetimet nuk janë bërë ndaj meje, as ndaj kompanisë sime Mabetex, por ishte një hetim që më vonë është parë se ishte politik, kundër ish-presidentit rus, Boris Jelcin, ku kam qenë i përfshirë edhe unë”, ka deklaruar Pacolli.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›