Gaddafi i ka borxh Greqisë

Me gjithë pasuritë përrallore që ka udhëheqësi i Libisë, Muammar Gaddafi, kjo nuk e ka ndihmuar qeverinë e tij të lajë borxhet.
Qeveria libiane iu ka borxh disa kompanive private dhe shtetërore greke shifrën mbi 700 milionë dollarë, ose 520 milionë euro.
Sipas shtypit grek këto detyrime, disa prej të cilave janë akumuluar që 30 vjet, në pjesën më të madhe kanë të bëjnë me punë ndërtimore të ofruara nga kompanitë greke në Libi.
Në vitin 1999 ministrat e atëhershëm te Punëve të Jashtme dhe Financave, kanë nënshkruar një Memorandum të mirëkuptimit të ndërsjellë me Libinë mbi çështjet e borxhit.
Në "Memorandum" përmenden 13 kompani teknike dhe 21 kompani ndërtimi, të cilave Libia u ka borxh miliona të papaguara. Për periudhën 1984-2005, Libia duhet t’i shlyejë edhe kompanisë telefonike shtetërore greke OTE, 2.2 milion dollarë.
Kërkesat e bizneseve greke për pagesat e tyre kanë nisur që sesionin e shtatë të Komitetit ndërministror të Përbashkët Greqi-Libi, që u mbajt në Tripoli, shtatorin e kaluar.
Negociatat megjithatë mbetën shterpë dhe bizneset greke janë të shqetësuara, për paratë e papaguara, duke pasur parasysh situatën e trazuar që është aktualisht në Libi.