Pacolli: Qeveria është shumë stabile

(E plotësuar) Zëvendëskryeministri i vendit, Behgjet Pacolli e ka përjashtuar mundësinë e prishjes së raporteve të tij me kryeministrin Hashim Thaçi, pas akuzave që atij i ka bërë ministri për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, i cili raportohet në media se ka akuzuar zëvendëskryeministrin Pacolli se po punon vetëm për interesa personale.
Pacolli po ashtu ka thënë se qeveria aktuale është qeveria më stabile dhe më e mira që ka pasur Kosova.
Ndërkohë, paralajmëroi se në bazë të marrëveshjes për koalicion, në muajin shtator, Aleanca Kosova e Re do ta marrë edhe një ministri të cilën aktualisht e udhëheq Partia Demokratike e Kosovës.
Por, Pacolli nuk ka bëri të ditur nëse ajo ministri do të jetë nën udhëheqjen e AKR-së, do të jetë ministria për Zhvillim Ekonomik, të cilën e udhëheq Besim Beqaj.
Zëri: Pacolli kërcënon Thaçin të largohet nga koalicioni
Tronditet koalicioni qeverisës në Kosovë. Një burim ndërkombëtar thotë se ka pasur edhe grushtim tavolinash kur janë kërkuar sqarime pse ka shkuar Beqaj nëpër ambasada me akuza personale për Pacollin, shkruan sot gazeta Zeri.
Pushtetarët kosovarë vazhdojnë që problemet apo dhe inatet personale me njëri-tjetrin t’i zgjidhin duke u ankuar nëpër ambasada. I fundit në këtë listë është ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, i cili e ka akuzuar zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli se po punon vetëm për interesa personale.
Duke folur në kushte anonimiteti, burime ndërkombëtare i kanë thënë gazetës Zëri se ministri Beqaj ka qenë shumë i qartë në akuzat e tij, “çdo udhëtim që Behgjet Pacolli po e bën jashtë shtetit, çfarëdo aktiviteti që po ndërmerr ai, po e bën vetëm për përfitime personale”.
Gazeta ka provuar dy ditët e fundit të marrë një prononcim prej ministrit Beqaj, por kjo ka qenë e pamundur. Zyra për informim e ministrit fillimisht ka kërkuar dërgimin e një e-maili, të cilës deri në mbrëmjen e 22 korrikut nuk iu ka përgjigjur.
Gazeta "Zëri" jozyrtarisht ka mësuar se akuzat e Beqajt, i cili është dhe anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, e kanë nxitur zv. kryeministrin Pacolli që t’ia nisë një letër shefit të qeverisë, ku është kërcënuar me largimin e AKR-së nga koalicioni qeverisës.
Të njëjtat burime thonë se përpos kësaj, edhe takimet e mëpasshme ku i pranishëm ka qenë edhe kryeministri Thaçi, janë zhvilluar në tone të larta dhe jo pak të ashpra. “Ka pasur bile edhe grushtim tavolinash, jo rrallë herë dukej se situata do eskalojë në tërësi”, thotë ky burim për gazetën.