Mund të trajnohen edhe në QKUK
Trajnimet e shtrenjta jashtë vendit tani do të kryhen në Kosovë. Drejtuesit e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës thonë se janë duke bërë përgatitjet që një pjesë e stafit të këtij institucioni të kryejnë trajnimet në vend. Fillimisht trajnimet e tilla do t’i nisin punonjësit nga Dializa, Pediatria dhe Fiziatria. Kjo formë e trajnimeve bëhet në kuadër të përmirësimit të cilësisë dhe shërbimit ndaj të sëmurëve dhe është konsideruar më e lirë për buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe QKUK-së.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, Lulzim Emini thotë se trajnimet, të cilat në të kaluarën janë bërë jashtë vendit, tanimë do të kryhen në QKUK nga ekspertë brenda këtij spitali. E gjithë kjo, sipas tij bëhet me qëllim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve që ata do t’i ofrojnë pacientëve të tyre. Emini theksoi se në këtë trajnim përpos që do t’i kushtohet rëndësi mënyrës së trajtimit bashkëkohor të pacientëve nga ana mjekësore, trajnimi do t’u shërbejë mjekëve edhe në përmirësimin e raporteve ndërkolegiale, me çka sipas tij do të rritet edhe cilësia e shërbimeve shëndetësore.
Ndërkaq, lëmitë e specifikuara, në të cilat do të trajnohen mjekët, ku në fund do të marrin edhe certifikatat, janë Dializa, Pediatria dhe Fiziatria. Për më tepër, nga këto trajnime do të përfitojë në buxhet Ministria e Shëndetësisë dhe QKUK, pasi që kryerja e tyre në vend është shumë më e lirë.