Pacolli: Së shpejti njohje të reja të Kosovës
Në kuadër të angazhimeve lobuese për shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e pavarur të Kosovës, zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli ka takuar në Paris, udhëheqësit më të lartë shtetëror të Beninit dhe Togos.
Edhe gjatë këtyre takimeve, zëvendëskryeministri Pacolli ka prezantuar argumentet e nevojshme, për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, nga këto dy shtete të kontinentit afrikan.
Pacolli, ka njoftuar edhe njëherë përfaqësuesit e lartë shtetëror të Beninit dhe Togos, me opinionin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se pavarësia e Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare.
Takimet më përfaqësuesit e Beninit dhe Togos, janë në vazhdimësi të takimeve që zëvendëskryeministri i Kosovës, Pacolli kishte realizuar gjatë vizitave në Afrikë muajin e kaluar.
Atij i është konfirmuar se njohjet e reja për Republikën e Kosovës, nga disa shtete afrikane, janë çështje ditësh.
Zëvendëskryeministri Pacolli, të mërkurën në mbrëmje do të udhëtojë për në Berlin, ku do të zhvillojë edhe takime të tjera me zyrtarë të lartë të shteteve afrikane të cilët po qëndrojnë në kryeqytetin e Gjermanisë.
Ndërkohë Pacolli është ftuar që të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të shpalljes së pavarësisë së Sudanit Jugor me 9 korrik 2011. Pas referendumit të suksesshëm për pavarësi, Sudani Jugor do të zyrtarizojë krijimin e shtetit, ndërsa zëvendëskryeministri Pacolli është ftuar nga Presidenti i këtij shteti, për të marrë pjesë në këtë ceremoni, në të cilën do të jenë prezent një numër i madh udhëheqësish të shteteve të ndryshme të botës.