Tadiç premton përmirësim raportesh me Bosnjen
Presidenti serb Boris Tadiç, u zotua se do të përmirësojë marredheniet me Bosnjen, gjatë një vizite që bëri ne Sarajevë.
Ai ka thënë se shteti i tij, dëshiron që të ndërtojë “marrëdhenie të afërta, miqësore me Bosnjën në frymë të bashkëpunimit të plotë”.
“Serbia tashmë ka ofruar dhe do të ofrojë në të ardhmen ç`farëdo lloj ndihme për drejtësinë, dhe do të ndihmojë në ekstradimin e të gjithë të dyshuarve për krime lufte. Ne presim që insitucionet e krimeve të luftës të ofrojnë procese të drejta dhe korrekte. Kushdo që ka kryer krime lufte duhet të marrë dënimin e merituar.
Është e rëndësishme jo vetëm për rindërtimin e besimit dhe ripajtimit, por po ashtu edhe për ndërtimin e një shoqërie ku sundon ligji. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të ndërtojmë shoqëri që kanë të ardhme, vetëm kështu mund të ndërtojmë institucione te besueshme dhe më e rëndësishmja, mund të ndërtojmë institucione, të cilat besohen nga qytetarët në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Tadiç.
Tadiç është akuzuar se ka mbështetur liderin radikal të serbëve të Bosnjes, Millorad Dodik, i cili në të kaluarën, ka shtyrë përpara ndarjen e entitetit serb nga Bosnja.