E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli: Shpifje, nuk ka pasur larje parash

Zv.kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli i ka quajtur shpifje pretendimet se ka pasur larje parash në procesin privatizimit të Grand Hotelit para pesë vitesh dhe se kohë më parë kishte pasur një fletë arresti për të.

Gazeta Koha Ditore ka botuar të martën një raport të hetuesve të UNMIK-ut për mënyrat e blerjes së Hotelit, përfshirjen e Behgjet Pacollit, Selim Pacollit e Remzi Ejupit në këtë histori dhe se si UNMIK ka dyshuar për larje parash.

Hetimi nuk kishte vazhduar më tutje, dhe i njëjti ishte ndalur nga gjykatësit e EULEX pasi raporti qe dorëzuar me vendosjen e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë.

Në një mesazh dërguar RTK, Behgjet Pacolli ka shrkuar se këto janë shpifje.

"Nuk ka dhe nuk ka pas asgjë të keqe. Janë prapaskena të realitetit primitiv kosovar. Ka pasur para pesë viteve hetime dhe janë mbyllur për shkak të mungesës së fakteve. Hetimet kanë pasur karakter shantazues. Për çdo gjë tjetër referojuni kompanisë", ka qenë përgjigja e shkurtër e Pacollit.

(ar.si/BalkanWeb)


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›