Pacolli i kërkon Bekenbauerit të ndihmojë sportin kosovar
Franz Bekenbauer vizitoi dje Prishtinën, me ftesë të Presidentit të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli. Legjenda e futbollit gjerman është pritur ngrohtësisht nga kosovarët. Ngrohtë është pritur edhe në kabinetin e Presidentit Pacolli. Ky i fundit e luti ish-yllin e Bajern Myhnihut që ta shfrytëzojë autoritetin e tij dhe ta ndihmojë Kosovën në procesin drejt anëtarësimit në FIFA e UEFA. Pacolli theksoi se Kosova e meriton të jetë pjesë e familjes botërore të futbollit. Ndërkohë, Bekenbauer premtoi se do të bëjë çmos që ta përshpejtojë realizimin e aspiratës së kosovarëve për t’u bërë pjesë e botës së futbollit. Në takimin e Pacollit me Bekenbauerin, prezent ishte edhe ministri i Ministrisë së Sportit, Memli Krasniqi. Më pas, ish-ylli i Kombëtares së Gjermanisë, i shoqëruar nga Krasniqi dhe kryetari i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, bënë një xhiro në sheshin ‘Nënë Tereza’, për të vizituar më pas stadiumin e Prishtinës. Aty Bekenbauer është pritur mirë nga tifozët e FC Prishtinës, Plisat. Shumë tifozë morën autografe nga legjenda e futbollit gjerman. Ndërsa, drejtuesit e FC Prishtinës ia dhuruan një fanellë të skuadrës së tyre me numrin 5, numër që ka mbajtur në shpinë Bekenbauer, kur ishte aktiv në futboll. Ndërsa në fund, Pacolli shtroi një drekë për mysafirin nga Gjermania. Pjesëmarrës në këtë drekë ishin edhe zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë, por edhe ambasadorë të huaj të akredituar në Kosovë. Aty kishte edhe përfaqësues të Federatave sportive të Kosovës. Me këtë rast, Pacolli e ka dekoruar Bekenbauerin me çmimin ‘Ambasador Nderi i Kosovës’.