E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela: Kam ardhur në Poloni, por jo për t’u bërë inxhinier

Ka pak ditë që është transferuar te skuadra e Gdynias, por menjëherë ka arritur të përshtatet me Poloninë. Kjo mbase edhe për arsye gjenetike, pasi babai i tij, siç tregon vetë Ervini, ka kryer studimet në Poloni dhe sot është një inxhinier. Por, Skela këmbëngul se nuk i interesojnë aspak ndërtimet dhe se ka ndërmend të bëjë atë që di më mirë, të luajë futboll dhe të ndihmojë ekipin e ti. 35-vjeçari braktisi ekipin e Germania Videkut, për të filluar një aventurë në një kampionat të paeksploruar më parë prej tij. Pas 72 ndeshjesh me fanellën kuqezi, dhe 160 të tjerash në Bundesligën Gjermane, Skelën e pret kampionati polak. “Babai im ka studiuar në Poloni dhe falë këtij vendi është inxhinier. Por unë nuk dua të bëhem ndërtues. E tërë jeta ime është futbolli. Stërvitem që prej moshës 10-vjeçare. Nuk e bëj më këtë gjë për para, por sepse marr akoma shumë kënaqësi nga futbolli. Atmosfera e dhomave të zhveshjes, të flasësh aty, ndonjëherë dhe me tone të larta, të bën të ndjehesh i gjallë. Asnjë adrenalinë nuk ta zëvendëson eksitimin e atmosferës, pas një goli të shënuar ose një aksioni të suksesshëm”, flet me pasion Ervin Skela. Ndaj ai e la pa ndroje Gjermaninë dhe stërvitjen me skuadrën e ligës së pestë, Germania Videk, gruan dhe djalin, për të ndjekur këtë përjetim.

Por, në këtë mes ka edhe të pakënaqur. Pas firmës së Skelës me skuadrën polake Arka Gdynia, nuk mund të rrinin pa folur drejtuesit e skuadrës modeste gjermane. Heinz Vilmeroth ka thënë për të përditshmen më të madhe gjermane, “Frankurter Allgemeine Zeitung” se: "Nuk e prisnim që Ervin Skela të largohej ashtu dhe aq më tepër t’i bënte gjërat në fshehtësi. Ky është një veprim i papërgjegjshëm nga ana e tij karshi nesh, por ne do të vazhdojmë rrugën tonë dhe do të mendohemi mirë para se të bëjmë marrëveshje me lojtarë të tjerë", ka thënë bosi i Germania Videkut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›