Nis faza e tretë, Flamurtari pret sërish Elbasanin
Janë në qendër të ciklonit, për shkak të dyshimit për trukime të ndeshjeve, por Flamurtari e Elbasani do të zbresin edhe njëherë në Vlorë, për të luajtur javën e 23-të të superligës. Ecuria në kampionat bëri që të dyja ekipet të renditeshin në ekstremitetet e tabelës së klasifikimit, ndaj edhe fazën e tretë do ta çelin ato të dyja. Vetëm një javë më parë, kuqezinjtë e Maganit do të shpartallonin verdheblutë në krizë me rezultatin e thellë 4-0. Golat e Plakut (2), Xhafajt e Sakajt do të vulosnin këtë sfidë, që realisht ishte e fituar në letër nga Flamurtari. Ndryshe nga ndeshja e parë, pritet që Magani të hedhë në fushë më të mirët e ta fusë trepikëshin në kasafortë që në pjesën e parë, pasi përballja e fundit tregoi disa vështirësi të vlonjatëve për të shënuar. Elbasani do të ishte mjaft i kënaqur edhe me një barazim, por trajneri momental i verdhebluve, Ilirjan File, dëshiron edhe më shumë. “Ndeshjen e dytë do të jemi më të qetë, duke mësuar nga gabimet e pak ditëve më parë. Mendoj që do të jetë një ndeshje shumë herë më e fortë dhe vlonjatët nuk do ta kenë të lehtë të na mposhtim. Objektivi është që këtë herë të fitojmë ne”, thotë File. Por përballë do të kenë një Flamurtar mëse të motivuar, që kërkon t’i tregojë krejt opinionit sportiv se shifrat 4-0 të ndeshjes së parë nuk ishin për shkak të tolerimeve apo trukimeve, por një fitore mëse e merituar e vlonjatëve. Sulmuesi kryesor i kuqezinjve, Daniel Xhafaj, kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë. “Do të jemi sërish përballë Elbasanit, por mendoj se kjo ndeshje do të jetë ndoshta më e vështirë se ajo që luajtëm një javë më parë. Elbasani nuk vjen dy herë radhazi për të humbur, por natyrisht derisa kanë shpresa dhe matematika u lejon të besojnë, pa dyshim që do të luftojnë deri në fund. Megjithatë, mendoj se Flamurtari nuk është në situatë të mendojë për ekipet e tjera, ne kërkojmë fitoren e radhës dhe kështu do të ndodhë edhe këtë javë. Do të përpiqem të shënoj patjetër, megjithatë besoj se sulmi i Flamurtarit nuk ka probleme këtë sezon”, ka komentuar Xhafaj përpara sfidës së sotme me verdheblutë.
Por Flamurtari-Elbasani është vetëm e para e 6 sfidave të javës së 23-të. Të tjerat do të luhen sipas këtij kalendari: ditën e diel Vllaznia-Besa në orën 13:00, Laçi-Kastrioti në orën 14:00 dhe Dinamo-Shkumbini në orën 14:00. Ditën e hënë Tirana-Teuta në orën 14:00 dhe e mbyll Skënderbeu-Bylis në orën 18:00. Korçarët do të zhvillojnë një tjetër ndeshje në dritën e projektorëve për t’u dhuruar tifozëve një tjetër emocion pasi në këtë përballje do të synojnë vetëm fitoren.