E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta mbledh forcat lufte per qendrimin ne superlige

Pozicionimi në gjashtëshen e dytë të renditjes e detyron Teutën, që në fazën e tretë të kampionatin të luajë më shumë ndeshje jashtë se brenda, e kjo sigurisht që ndikon në një formacion që lufton për qëndrimin në Superligë. Skuadra e Edi Martinit nuk fiton prej 8 javësh, por tashmë cdo ndeshje është një finale dhe tekniku shkodran e di mirë. Kundër Tiranës në transfertë do të jetë shumë e vështirë, po të llogarisësh edhe faktin se durrsakët kanë sulmin e dytë më të dobët të kampionatit.

Megjithatë Martini mbron të tijtë, duke theksuar faktin se bregdetarët kanë patur mungesa të rëndësishme në sulm. Në intervistën për Albanian Screen, Martini është i qartë në idetë e tij dhe thotë se asgjë nuk do të vendoset nga takimet direkte me rivalët, por nga ai që do të bëjë më shumë gabime gjatë 11 ndeshjeve të mbetura në dispozicion.

“Është e vërtetë që jemi në një situatë jokomode duke pasur parasysh që kemi plot tetë ndeshje që nuk fitojmë. Megjithatë, kjo ka ardhur si pasojë e mungesa të shumta që kemi pasur. Kemi luajtur plot pesë ndeshje pa sulmuesit tanë kryesorë. Megjithatë kemi mposhtur Besën e Kavajës, kemi mposhtur Ballshin edhe Elbasanin. Jemi 2 pikë dhe 3 pikë përpara tyre.
Mendoj që nuk do të varet nga ndeshjet direkte që kemi njëra me tjetrën, por se cila skuadër do të bëjë më pak gabime gjatë rrugës. Mendoj që qysh këtë javë në ndeshje me Tiranën formacioni ynë është i plotë. Shpresojmë nga ndeshja në ndeshje të marrim pikë maksimale, të korrigjojmë ato gabime që kemi bërë më përpara. Nuk duhet të shohim kalendarin, por ndeshjet me rradhë, njëra pas tjetrës” tha Martini.

24 pikë për Teutën në vendin e 9 të renditjes dhe me Elbasanin pothuajse të zbritur në Kategori, gjithcka do të luhet mes durrësakëve, Besës që ka 22 pikë dhe Bylis me 21. Gjithsesi, Teuta në kalendar i pret kavajasit në Niko Dovana, por me mallkastriotët duhet të luajë në Ballsh, në një transfertë shumë të vështirë. Por deri në ndeshjet direkte, bregdetarët duhet të kërkojnë të shkëpusin pikë kundër skuadrave kryesuese të kampionatit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›