E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panariti mbështet vendosjen e Zyrës Administrative në Veri

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe mundësinë e zgjerimit të mëtejmë të tij.

Duke e çmuar lart këtë bashkëpunim, ministri Panariti e konsideroi atë si model për vendet e tjera të rajonit. Ai theksoi se ka hapësirë për rritjen e këtij bashkëpunimi, falë edhe lehtësirave të mëdha që ka krijuar ndërtimi i infrastrukturës rrugore në të dy anët e kufirit.

Në një komunikatë për media, të lëshuar nga Zyra dhe Marrëdhënie me Publikun, thuhet se ministri Panariti vlerësoi lart hapat cilësorë që ka bërë Kosova në rrugën e saj të zhvillimit e të integrimit, ndërsa u shpreh se qeveria shqiptare ndjek me vëmendje të veçantë të gjitha zhvillimet në Kosovë.

Ministri Panariti konfirmoi mbështetjen e Tiranës zyrtare për shtimin e njohjeve të pavarësisë dhe shfaqi gatishmërinë për të ofruar të gjithë përvojën e Shqipërisë në procesin e integrimit euro-atlantik.

Duke përkrahur vendosjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës në çdo pjesë të territorit të saj, shefi i politikës së jashtme shqiptare konfirmoi mbështetjen për Zyrën Administrative në veri dhe për zbatimin e Planit të Ahtisarit, thuhet më tej në komunikatë.

Kryetari Krasniqi, duke e uruar ministrin Panariti për detyrën e re në krye të diplomacisë shqiptare, shfaqi kënaqësinë për rritjen e komunikimit e të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, me theks të veçantë, ndërmjet parlamenteve respektive.

Por, kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të hapësirave të krijuara vitet e fundit për forcimin e marrëdhënieve dhe rritjen e bashkëpunimit edhe në lëmenjtë e tjerë, në të cilët ky bashkëpunim është më i lehtë.

Në këtë kontekst, kryeparlamentari Krasniqi shtroi nevojën e krijimit të tregut të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, i cili, siç tha ai, do të ndikonte në një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe ulje të papunësisë në të dy vendet, thuhet në fund të komunikatës së lëshuar nga Zyra për media e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›