E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli mbështet Feithin për Fondin Pensional

Kryetari i Partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli i është drejtuar Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith me një letër, përmes së cilës ka nënvizuar disa probleme të rëndësishme për ecurinë e shoqërisë dhe politikës në Kosovë, ndërsa i ka dhënë mbështetje atij në debatin publik me institucionet vendore të Kosovës, në lidhje me paratë e Fondit të Agjencisë Kosovare të Privatizimeve, si dhe për paratë e Trustit Pensional.

“Pohimi juaj se Kosova nuk mund të ndahet është mjaft i vlerësueshëm dhe ne shpresojmë shumë se puna juaj në vendosjen e autoritetit të ligjit të Kosovës në gjithë territorin do të vazhdojë edhe më tutje. Për prosperitetin ekonomik të qytetarëve, për autoritetin e shtetit të ri, për konsolidimin e financave publike është jetik mbizotërimi i Kushtetutës së Kosovës, i ligjeve të saj, kontrolli i institucioneve të saj në gjithë territorin, nga Jugu në Veri, nga Perëndimi në Lindje”, ka shkruar në letrën e tij, Pacolli.

Pacolli theksoi se ka ndjekur vëmendje të madhe dhe debatin publik të Feith-it me institucionet vendore të Kosovës, në lidhje me paratë e Fondit të Agjencisë Kosovare të Privatizimeve, dikur Fondi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, si dhe për paratë e Trustit Pensional.

“Si një njeri që ka shpenzuar dhjetëra vjet në nivele të larta të biznesit ndërkombëtar, që e njeh mjedisin biznesor këtu, si dhe pas studimit të kuadrit ligjor që rregullon këtë çështje, (Propozimit Gjithëpërfshirës, aneksi 6 dhe 7, dispozitat tranzitore të Kushtetutës së Kosovës, si dhe Ligjin në fuqi për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, neni 19), unë e konsideroj plotësisht të drejtë qëndrimin tuaj refuzues ndaj kërkesave të qeverisë. I njëjti qëndrim imi vlen dhe për paratë e Trustit Pensional të Kosovës”, ka shkruar Pacolli.

Sipas tij, këto fonde janë djersa e brezave të shumtë të kosovarëve në vite dhe jo paratë e një qeverie të vetme, prandaj ato nuk duhet të hyjnë në kasën e qeverive, dhe sidomos të atyre qeverive që deri më tani “nuk kanë gjeneruar begati për qytetarin e Kosovës, përkundrazi e kanë varfëruar atë, për shkak të neglizhencës së tyre, mungesës së përgjegjësisë dhe profesionalizmit të tyre në një proces privatizimi tejet të diskutueshëm”.

“Investimi i të ardhurave nga privatizimi apo nga Trusti Pensional në mjete, instrumente sipas rangimit të institucioneve ndërkombëtare të rangimit financiar, është diçka plotësisht e arsyeshme që ju e theksoni me të drejtë. Ne vlerësojmë njëjtë sikur Ju, se destinacioni për të cilën i kërkon kjo qeveri, për nevoja të ngutshme të buxhetit apo për projekte pa fizibilitet të argumentuar, nuk përmbush kushtet e ligjit”.

Pacolli ka bërë një një propozim në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, që të krijohet Agjencioni i Gjeneratave të Reja, i drejtuar nga menaxherë profesionistë të kontrolluar nga një bord i përbërë nga përfaqësues të Pranisë Ndërkombëtare (ICO), të shoqërisë civile, të parlamentit dhe të qeverisë.

“Ky Agjencion do të menaxhojë këto para deri sa të mbërrijmë tek kryerja e të gjithë obligimeve të pranuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës të njohur si Plani Ahtisaari, dhe më vonë, (me paratë e mbetura), të investojë ekskluzivisht, e përsëris ekskluzivisht, për mirëqenien e gjeneratave të reja, në edukimin e tyre, shëndetin e tyre, dhe në punësimin e tyre. Kur e them këtë, jam shumë i vetëdijshëm se me privatizimin difektoz të deritanishëm në Kosovë (prej nga ku gjenerohen këto para) dëmi më i madh i është bërë fëmijëve të Kosovës për të cilët nuk ka asnjë garanci jetësore, asnjë mundësi për punësim”, thuhet në letrën e Pacollit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›