Ambasadori ka punë me gazeta

Numri një i SHBA’së në vend e ka fajësuar këtë gazetë për krijimin e një debati fals për shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale.
“Ky është një debat fals qe po mundohet të nxitet nga “Koha Ditore”, dhe gazeta të tjera, por në anën tjetër mund të jetë një debat i cili del nga dëshira e popullit. Në muajin prill Koha Ditore ka qenë njëra prej atyre gazetave qe e ka quajtur marrëveshjen jo demokratike”, ka thënë Dell, transmeton Indeksonline.
Pas një takimi me Presidenten Atifete Jahjaga, Dell ka thënë se nuk është në dijeni që partitë politike kanë arritur marrëveshje për të shtyrë zgjedhje, por sipas tij, nëse komisioni për ndryshime kushtetuese kërkon më shumë kohë për të ndryshuar edhe kompetencat e presidentit atëherë kjo kërkesë sipas tij duhet të aprovohet.
“Unë ende nuk e di a është arritur marrëveshje apo është biseduar për këtë çështje nga partitë politike, por nëse konsiderohet që nevojitet më shumë kohë që ti jepet komisionit në mënyrë që të pasqyrohet vullneti i populli, atëherë unë e mbështes këtë dhe besoj që kolegët e mi e bëjnë të njëjtën gjë”, ka thënë Dell.
Ndërsa presidentja Atifete Jahjaga, ka thënë se nuk do të bëhet pjesë e debatit, pasi që nuk është pjesë e marrëveshjeve dhe do ta vazhdojë mandatin e saj.