E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sllovenia do të përkrahë Kosovën në proceset integruese

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj në vizitën e tij zyrtare në Lubjanë është pritur nga kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor dhe ministri i Punëve të Jashtme, Samuel Zbogar, të cilët kanë premtuar se do të vazhdojnë të jenë një zë i fuqishëm për proceset integruese të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në takimin me kryeministrin Pahor, ministri Hoxhaj ka falënderuar atë për mbështetjen që Sllovenia i ka dhënë Kosovës në 10 vjetët e fundit.

Kurse kryeministri i slloven, Borut Pahor ka ritheksuar se Sllovenia edhe më tutje do të jetë një zë i fuqishëm brenda Bashkimit Evropian për proceset integruese të Republikës së Kosovës në BE.

Ministri Hoxhaj është pritur në takim edhe nga homologu i tij slloven Samuel Zbogar, me ç’rast janë pajtuar që marrëdhëniet e mira diplomatike duhet të shndërrohen edhe më shumë në marrëdhënie ekonomike, tregtare, kulturore etj.

Si parakusht për këtë, dy ministrat kanë nënshkruar Protokollin për Bashkëpunim, i cili do t’i hapë rrugë nënshkrimit të shumë marrëveshjeve të tjera, të cilat do ta thellojnë edhe më shumë bashkëpunimin mes dy shteteve.

“Ne kemi relacione të shkëlqyera. Sllovenia është një partner i fuqishëm në fushën e ekonomisë dhe tregtisë dhe në fushën e arsimit. U pajtuam që vitin e ardhshëm të nënshkruajmë edhe disa marrëveshje që janë shumë të rëndësishme, me qëllim që marrëdhëniet tona politike, të lëvizin drejt fuqizimit të marrëdhënieve ekonomike”, ka thënë ministri Hoxhaj në një konferencë për media që është organizuar pas këtij takimi.

Në këtë takim, ministri Hoxhaj po ashtu ka informuar ministrin Zbogar për situatën në veri, për dialogun teknik si dhe për proceset euroatlantike.

Hoxhaj ka bërë të qartë qëndrimin e Republikës së Kosovës për zhbërjen e menjëhershme të strukturave paralele ilegale të Serbisë nga Kosova, për largimin e barrikadave, për implementimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë si dhe për implementimin e plotë të Pakos së Ahtisarit.

“Qëndrimi ynë është që Pakoja e Ahtisarit është korniza e vetme, më e mira për integrimin e veriut. Por, kësaj duhet t’i paraprijë shpërbërja e plotë e strukturave paralele ilegale, operacionalizimi i EULEX-it në tërë territorin e Kosovës, zbatimi i marrëveshjeve në Bruksel etj”, ka shtuar ministri Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj në këtë takim, ka kërkuar mbështetjen e kryeministrit dhe ministrit të jashtëm të Sllovenisë edhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Nga ana tjetër ministri i Punëve të Jashtme i Sllovenisë, Samuel Zbogar ka thënë se shteti i tij do ta mbështesë Republikën e Kosovës në rrugën e saj evropiane.

Ndryshe ministri Enver Hoxhaj gjatë qëndrimit të tij në Slloveni do të mbajë edhe një ligjëratë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Lubjanës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›