E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli: Edhe Guinea Ekuatoriale konfirmon njohjen e shpejtë

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli sot ka takuar presidentin e Guinesë Ekuatoriale, Teodoro Obiang, i cili ishte i shoqëruar nga ministri i punëve të jashtme Micha Ondo Bile.

Gjatë këtij takimi të zhvilluar në kryeqytetin e Guinesë Ekuatoriale, Malabo, zëvendëskryeministri Pacolli ka prezantuar edhe njëherë kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës, duke argumentuar se një vendim i tillë është në përputhje të plotë me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe konform opinionit këshilldhënës të GJND-së.

"Në anën tjetër, Presidenti Obiang, i premtoi zëvendëskryeministrit Pacolli se menjëherë do të fillojnë procedurat e formalizimit të njohjes së Kosovës, duke i konfirmuar se vendi i tij, do të jetë gjithmonë në krah të demokracisë. Njohja nga Guinea Ekuatoriale është konsideruar si e pamundshme për shkak se ky shtet udhëheq me Unionin Afrikan, dhe shumica e shteteve të këtij unioni ende nuk e kanë njohur Kosovën. Megjithëkëtë tri takimet që zëvendëskryeministri Pacolli zhvilloi me presidentin e Obiang( në inaugurimin e presidentit të Bregut të Fildisht, në Nju Jork gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme dhe ky i fundit), rezultuan të suksesshme", thuhet në një njoftim të zyrës së Pacollit.

Pas takimit me Presidentin Obiang, zëvendëskryeministri Pacolli në një konferencë për media, u ka bërë thirrje edhe shteteve tjera afrikane që të marrin vendimin e drejtë pro pavarësisë së Kosovës.

Gjatë turneut të katërt në kontinentin e Afrikës, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka vizituar Kamerunin dhe Sao Tome-në. Gjatë takimit me kryeministrin e Sao Tome-së, Dr.Patrice Emery Trovoada, zëvendëskryeministri Pacolli ka marrë konfirmimin se njohja e Kosovës, do të ndodhë shumë shpejt.

Turneu lobues i zëvendëskryeministrit Pacolli do të vazhdojë në Azinë së largët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›