Pacolli mohon akuzat e “bosit” të Rezonancës rreth Farmedit

Zv. kryeministri Behgjet Pacolli ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga pronari i klinikës Rezonanca, Ramadan Idrizaj. Nëpërmjet avokatit të tij në këtë lëndë, Fatbardh Makolli, Pacolli ka sqaruar lidhjen e gjatë dhe problemet me Idrizajn rreth Farmedit, transmeton KTV.
Kompania e një prej vëllezërve të Pacollit e kishte fituar në valën e 5 objektin e “Farmedit”, pas ofertës 2.4 milionë euro, kjo pasi që ofertuesi më i shtrenjtë, Idrizaj, me 3.6 milionë nuk i kishte pasur paratë që ta paguajë. Më pas, Idrizaj i ka kërkuar Pacollit që t’ia japë atij në pronësi Farmedin, meqë aty mund të ndërtohej një spital i mirë e modern. Nëpërmjet një marrëveshjeje konfidenciale palët ishin pajtuar që pasi që Idrizaj ta paguajë shumë prej 2.4 milionë eurosh, ta marrë objektin prej Pacollit për 1 euro.
Por, sipas Paollit, Idrizaj nuk e kishte bërë pagesën kurrë, sikurse nuk i është përmbajtur një marrëveshjeje tjetër, sipas së cilës të dyja palët do të investonin nga 10 milionë euro për ndërtimin e spitalit në këtë objekt. Zyra e Pacollit beson se mund të ngrejë edhe një tjetër rast kundër Idrizajt, për ato që i quan mashtrime publike të tij. Pacolli ka në pronësi Farmedin, ku tash e një kohë qira paguan misioni evropian për sundim ligji, EULEX.Indeksonline/