Pacolli mungon sërish në mbledhjen e qeverisë

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi kërkoi nga partitë politike që t’i mbështesin reformat zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese që pritet të fillojnë në Kosovë.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri i vendit u bëri apel partive parlamentare që t’i votojnë komisionet të cilat pritet të votohen në seancën e së premtes. Këto dy komisione do të formohen për të filluar ndryshimin e Kushtetutës që ka të bëjë me mënyrën e zgjedhjes së presidentit dhe ajo për reformën zgjedhore e cila do ta bëjë Kosovën me më shumë se një njësi zgjedhore.
Po ashtu gjatë kësaj mbledhje, Thaçi tha se situata politike në Kosovë dhe funksionimi i shtetit po shkon në atë drejtim, saqë sipas tij, mbikëqyrja ndërkombëtare do të jetë e panevojshme.
Këto komente, Thaçi i bëri gjatë mbledhjes së qeverisë, por krah tij nuk u pa edhe Behxhet Pacolli, i cili është emëruar si zëvendëskryeministër i parë.
Mungesa e Pacollit, sipas Hajredin Kuçit, nuk nënkupton se e ka refuzuar pozitën e dhënë nga ana e Thaçit, ndersa kryetari i AKR-së, sipas Kuçit, nuk ka qenë refuzues në momentin kur vendimi për emërimin e tij është bërë publik.