E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli në Malit për të sqaruar (mos)njohjen

Një deklaratë e Presidencës së Malit, e botuar të premten në agjencinë kineze të lajmeve Sinhua, ka mohuar njohjen e Kosovës nga ky shtet.
 

“Mali nuk e ka njohur Kosovën. Presidenca dëshiron që kategorikisht ta mohojë këtë falsifikim, i cili synon të dëmtojë imazhin e Malit”, është shkruar aty. “Rrjedhimisht, Presidenca e Malit dëshiron të informojë gjithë komunitetin kombëtar dhe ndërkombëtar se presidenti nuk ka nënshkruar ende ndonjë dokument që njeh Republikën e Kosovës dhe rezervon të drejtën për të marrë masat e duhura për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e dokumentit të rremë”.
 

E tërë kjo ka ndodhur vetëm një javë pasi zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behxhet Pacolli ka prezantuar notën verbale, ku thuhej se Republika e Malit e ka njohur Kosovën. Nota verbale që e kishte prezantuar Pacollli kishte qenë e nënshkruar nga presidenti i Malit, Dioncounda Traore.
 

Mediat kosovare nuk kane mundur të realizojnë kontakt me Pacollin, i cili gjendet për një vizitë në Afrikë, mirëpo Jetlir Zyberaj, këshilltar i tij, ka mohuar raportimet se shteti afrikan Mali nuk e ka njohur Kosovën. Ai ka thënë se këto janë raporte të nxitura nga Serbia dhe miqtë e saj.
 

“Pas raportimeve nëpër media lidhur me paqartësitë e krijuara rreth njohjes nga Republika e Malit, zëvendëskryeministri Pacolli, i cili ndodhët në turne lobimi në kontinentin e Afrikës, do të udhëtojë përsëri në Mali për tu takuar edhe njëherë me autoritetet shtetërore atje dhe për të sqaruar konfuzionin e krijuar”, thuhet në reagimin e mbrëmshëm të vonë të zyrës së Pacollit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›