Pacolli u përgjigjet shoqatave të luftës

Kandidati për president, Behxhet Pacolli u ka kthyer përgjigje pyetjeve që shoqatat e luftës kanë shtruar gjatë ditës për të.
“Me përgjegjësinë time të plotë morale dhe politike deklaroj se unë asnjëhere nuk kam thënë, as nuk kam menduar që Serbia është nëna e Kosovës!”
Më tej në deklaratën e tij, Pacolli shton se nuk do të bëhet ndonjëherë Tito i Kosovës!
“Ashtu siç opinioni është sqaruar shumë herë për takimin me Milloshevicin, ai takim është pasuar me takimin me udhëheqësinë më të lartë të Kosovës. Në atë takim kamë rënë dakord me udhëheqësit prezentë dhe qasjen e tyre lidhur me cështjen e Kosovës dhe lidhur me proceset që do të zhvilloheshin rreth Kosovës. Unë nuk kam kërkuar nga Milloshevici bashkëjetesë, por ndarje” ka deklaruar Pacolli.
Ky reagim vjen në një kohë pas shkrimeve dhe publikimeve nëpër mediat kosovare, duke sqaruar se ato “kanë qenë tendencioze dhe po ia rrezikojnë jetën atij dhe familjes së tij”.