Pacolli vazhdon lobimin në Afrikë

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli po vazhdon aktivitetet e tij në kuadër të fushatës lobuese për shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e pavarur të Kosovës.
Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij, njoftohet se Pacolli të martën është takuar me përfaqësuesit më të lartë të Institucioneve të Guinea Conakry, ku ka diskutuar për përshpejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ky vend.
Më pas Pacolli ka vazhduar angazhimet e tij lobuese në Togo, në kryeqytetin Lome, ku është takuar me zëvendëspresidentin e këtij shteti.
Pacolli do të udhëtojë për në Lagos, ku do të takohet me kryetarin e Komunitetit Ekonomik të shteteve të Afrikës Perëndimore, James Victor Gbebo.
Ndërkaq nesër, zëvendëskryeministri Pacolli do të udhëtojë në Afrikën Qendrore, konkretisht në Republikën e Rvandës, në kryeqytetin Kigali, ku do të takojë kryeministrin e këtij vendi, Bernard Makuza.
“Angazhimet e zëvendëskryeministrit te parë te Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, në kuadër të kompetencave të tij institucionale për shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e pavarur të Kosovës, do të vazhdojnë me intensitet të shtuar edhe në ditët në vijim”, thuhet në komunikatë.