Pacolli:Guinea Ekuatoriale premton njohjen e Kosovës
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli, është takuar të hënën pasdite me presidentin e Guineas Ekuatoriale, Teodoro Obiang, i cili ishte i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Micha Ondo Bile.
Gjatë këtij takimi të zhvilluar në kryeqytetin e Guineas Ekuatoriale, Malabo, zëvendëskryeministri Pacolli ka prezantuar edhe njëherë kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës, duke argumentuar se një vendim i tillë është në përputhje të plotë me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe konform opinionit këshillëdhënës të GJND-së.
“Nga ana tjetër, Presidenti Obiang, i premtoi zëvendëskryeministrit Pacolli se menjëherë do të fillojnë procedurat e formalizimit të njohjes së Kosovës, duke i konfirmuar se vendi i tij, do të jetë gjithmonë në krah të demokracisë”, thuhet në një njoftim për mediat.
Njohja nga Guinea Ekuatoriale është konsideruar si e pamundur pasi ky shtet udhëheq me Unionin Afrikan, dhe shumica e shteteve të këtij unioni ende nuk e kanë njohur Kosovën. Megjithatë tri takimet që zëvendëskryeministri Pacolli zhvilloi me presidentin e Obiang (në inaugurimin e presidentit të Bregut të Fildisht, në Nju Jork gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme dhe ky i fundit), pret të rezultojnë të suksesshme.
Pas takimit me Presidentin Obiang, zëvendëskryeministri Pacolli, në një konferencë për media, po ashtu u ka bërë thirrje edhe shteteve tjera afrikane që të marrin vendimin e drejtë pro pavarësisë së Kosovës.
Gjatë turneut të katërt në kontinentin e Afrikës, zëvendëskryeministri Pacolli ka vizituar Kamerunin dhe Sao Tome-në, ndërkaq turneun lobues ai do të vazhdojë në Azinë së largët.