E Hënë, 2 Nëntor 2026

Padi 22 zyrtarëve, nuk kanë deklaruar pasurinë

 

Do të paditen për t’u ndjekur penalisht 22 zyrtarë të cilët nuk kanë dorëzuar deklaratën e pasurisë. Lajmi bëhet i ditur nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Përmes një njoftimi për shtyp ky institucion ka treguar se 22 zyrtarët kanë shkelur ligjin duke mosdeklaruar pasurinë brenda afatit ligjor. Për këtë arsye ata do të paditen nga ILDKP-ja e cila po përgatit dosjet e tyre për të bërë kallëzim penal në Prokurori. Zyrtarët që nuk kanë deklaruar pasurinë janë kryesisht kryetarë komunash dhe drejtorë drejtorish, të cilët akuzohen për “Refuzim për deklarim”. Në fakt nga 70 zyrtarë, 48 prej tyre e kanë deklaruar tashmë pasurinë, ndërsa 22 nuk i kanë kryer ende detyrimet ligjore. Sipas njoftimit zyrtar të Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive ‘Refuzimi për deklarim sjell humbjen e funksionit dhe ndëshkim në përputhje me Kodin Penal. Inspektori i Përgjithshëm i dërgon brenda 30 ditëve organit përgjegjës njoftimin e motivuar për largimin nga puna të personit që ka refuzuar deklarimin e pasurisë’. E gjithë kjo sipas nenit 5 pika 1 në ligjin për ‘deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë’.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›