Qielli i Lazaratit
Katër vite pas herës së parë, vjen e dyta. Helikopterët kanë shkelur sërish “hapësirën ajrore” të Lazaratit, bastionit blu në jug të Shqipërisë. Dikur i ndodhte Fatos Nanos, tani Sali Berishës. Katër vite më parë, më 17 gusht, helikopteri i misionit “INTERFORZE” u godit ndërsa filmonte parcelat pa fund me kanabis të lazove. PD, asokohe në opozitë, iu sul qeverisë se po sulmonte zonat e saj, ndërsa kryetari i komunës një ditë më pas akuzonte policinë se kishte sulmuar popullin e pambrojtur. Po Berisha? Doktori u mendua 9 ditë, që të thurte një fjalë për Lazaratin dhe në Konferencën e 26 gushtit 2004, shprehej: “Sot, plantacionet e drogës në Shqipëri nuk shkatërrohen, jo se ato nuk duken, nuk shkatërrohen, jo se ato nuk dihen, por se ato blihen që në prodhim nga zyrtarët dhe segmentet e policisë. Trafiku i tonelatave të tëra të heroinës, kokainës, që vërshon drejt Perëndimit nëpërmjet Shqipërisë, është i mbrojtur në tërë trajektoren e tij, nga qeveritarët dhe zyrtarët e klubit të drogës”. Fjalë me vend dhe aq aktuale, kur e krahason me raportin e tre ditëve më parë të OKB-së për drogën që eksporton Shqipëria e Berishë. Më tej, Doktori shprehej: “PD deklarohet në këto kushte për: zero tolerancë ndaj mbjelljes, kultivimit, prodhimit, trafikimit të drogës në çdo fshat apo qytet, në Tiranë apo Tropojë, Lazarat apo Mirditë, Sarandë apo kudo tjetër në Shqipëri”...
Në fund, edhe pika e “dobët”: “Qëndrimi ynë ndaj incidentit të Lazaratit ka si qëllim të vetëm, zbardhjen e të vërtetës rreth këtij incidenti dhe vendosjen e bashkëpunimit mbi baza serioze ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe nuk mund të ketë asnjë lidhje gjeopolitike”.
“Spiuni” kontrolli dje faqen e qeverisë, por kryetari i PD-së dhe i qeverisë, ende nuk po vendos se çfarë të thotë për Lazaratin. Kontrolloi edhe se çfarë kishte thënë qeveria në 7 shtator 2007, kur një grup lazosh shkuan në Gjirokastër, dogjën makinat dhe rrethuan Komisariatin e Policisë dhe për 40 minuta u bënë mbretër të qytetit. As për atë gjëmë nuk kishte asnjë rresht.