Muzeu i Gërdecit
“Spiuni” takoi mbrëmë ish-ambasadorin e Shqipërisë në OKB, Abdi Baleta. Gjuha shkon ku dhemb dhëmbi. Te Gërdeci, padyshim. Baleta është i qartë dhe i vendosur në qëndrimin e vet: ishte papërgjegjshmëri totale nga të gjithë, nga Kryeministri i vendit, ministri i Mbrojtjes, deri te punëtorët fatkeqë. Baleta është njeri zakonor dhe thotë se askush më parë në Shqipëri nuk i çonte gratë të punonin në vende të papërshtatshme. Por burrat e Gërdecit i çuan me gjithë fëmijë. Por i bëri varfëria ku i zhyti qeveria. Ai ka një ide: Gërdeci të shndërrohet në muze dhe atij t’i bëhet reklamim si vend turistik. Zona e kraterit të rrethohet e gjitha me mur. Në një pllakë të zezë, të shkruhen të gjithë emrat e viktimave dhe të fajtorëve. Viktimat dihen, janë zyrtarisht 26, nga vogëlushi Flavio që u shua në oborrin e shtëpisë Deliu deri te punëtorët fatkeqë.
Fajtorët dihen, por ende nuk kanë denjuar të shkojnë të përgjigjen para drejtësisë. Sepse janë bërë bashkë në Kuvend për të mos bërë një shembull, ndryshe gjysma e qeverisë dhe Gërdecët e saj, do të ishin të pandehurit e Ina Ramës.
Shqiptarët e Maqedonisë
Në Tiranë nuk janë të habitur për dhunën e shqiptarëve në Maqedoni. E kanë pritur, sepse vetë e kanë gatuar prej shumë vitesh, ashtu siç kanë gatuar edhe politikën e mbrapshtë të Tiranës. “Spiuni” ndenji me një socialdemokrat të vjetër, Gaqo Apostolin, i cili i tregoi se si ishte krijuar njëra prej partive në Maqedoni, kuptohet, falë makinacioneve të kryetarit të PD-së, Berisha, asokohe President i vendit. E morën njërin prej politikanëve më në zë të asaj kohe dhe nga Kosova, ku ishte drejtues i Partisë Socialdemokrate, i thanë të bënte një parti tjetër në Shkup. Ai pranoi dhe shumicën e kohës ai komandohej nga Tirana se çfarë duhej të bënte. Dhe aq shumë e kanë bërë lëmsh politikën e shqiptarëve të Maqedonisë, saqë ajo nuk vihet më në terezi. Edhe pse për të pajtuar palët dikur shkonte vetë ish-kryeministri Fatos Nano dhe herën e fundit, pak muaj më parë, edhe Kryetari i Nderit i PR-së, Sabri Godo. Berisha nuk ka vajtur ende, por i pret në Tiranë, herë njërën palë herë tjetrën, duke i lënë të vrasin njëri-tjetrin, pak e shumë, siç bën në Tiranë me demokristianët apo ballistët.