E Diel, 1 Nëntor 2026

Padi në Prokurori për “Albania Airlines”, ndëshkimi sipas ligjit

Thimi Samarxhiu

Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve i kërkon organit të akuzës të nisë hetimet për kompaninë. Kodi Ajror pritet ta ndëshkojë shoqërinë “Albania Airlines” për dëmet që u janë shkaktuar udhëtarëve të saj. Dje mbërriti në Prokurorinë e Tiranës një kërkesë e përgatitur nga ZMK-ja, ku i kërkon kësaj të fundit nisjen e hetimeve për veprën penale të “pengmarrjes”. Sipas ZMK-së, devijimi i udhëtimit të avionit të kompanisë “Albanian Airlines” nga destinacioni Bolonjë për në Bratislavë më datë 17 janar 2010 përbën vepër penale, referuar Kodit Penal. Edhe Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë përcakton saktë rastet kur kompanitë e fluturimit detyrohen të dëmshpërblejnë pasagjerët në rast vonesash të fluturimeve, por, në asnjë rast deri tani, asnjë kompani fluturimi nuk i ka dëmshpërblyer pasagjerët shqiptarë, pavarësisht dëmeve të mëdha që mund t’i kenë shkaktuar me vonesat apo anulimet e fluturimeve.

Padia për kompaninë
Të gjitha të dhënat e publikuara deri tani nga media, duke iu referuar prononcimeve të pasagjerëve në organet e medias, të përfaqësuesve të Aviacionit Civili Shqiptar, të Ministrisë së Jashtme dhe të personelit diplomatik shqiptar në Bratislavë, të përfaqësuesve të kompanisë “Albanian Arilines”, vërtetojnë se devijimi i udhëtimit me 110 pasagjerë ka ardhur si pasojë e qëllimit të personelit drejtues të avionit për të ushtruar presion financiar dhe shprehur pakënaqësi ndaj kompanisë së vet. Sipas ekspertëve të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve, “ky motiv është një rrëmbim i pastër i avionit dhe mbajtje peng e 110 udhëtarëve me qëllim rritjen e shkallës së presionit ndaj kompanisë për motive financiare. Në një deklaratë për mediat, ZMK thotë se “devijimi i udhëtimit ka sjellë pasoja të rënda për pasagjerët, pasi ata nuk dispononin të gjithë dokumentet e duhura zyrtare për qëndrim në Bratislavë, çka ka sjellë që një pjesë e tyre të përballeshin me një izolim të ri në kuadër të rregullave dhe procedurave të transitit në Aeroportin e Bratislavës”. Duke iu referuar legjislacionit shqiptar, dhe përkatësisht Kodit Penal, Pjesës së Posaçme, Seksioni VII, Vepra Penale kundër Lirisë së Personit, kjo ngjarje i ka të gjitha gjasat që të vlerësohet si një vepër penale e rrëmbimit dhe pengmarrjes së personit.

Sanksionet sipas Kodit Ajror
Përveç Kodit Penal, “Albania Airlines” pritet të përballet me ndëshkime edhe nga kuadri ligjor në fuqi. Në “Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë”, i cili ka hyrë në fuqi që në janar të vitit të kaluar, parashikohen qartë sanksionet dhe dëmshpërblimet që transportuesit duhet të paguajnë në rast vonesash. Në Nenin 127, për vonesat në transport, thuhet: “1. Transportuesi është përgjegjës për dëmtimet e shkaktuara nga vonesat në transportimin ajror të pasagjerëve. Transportuesi nuk është përgjegjës për dëmet, shkaktuar nga vonesa, kur provon se ai, punonjësit dhe agjentët e tij morën të gjitha masat e mundshme për të shmangur dëmtimin, ose kur provon se marrja e masave të tilla ishte e pamundur”. Në pikën 2 të nenit vijohet më tej: “Në rast dëmi, të shkaktuar nga vonesa në transportimin e një personi, siç përcaktohet në pikën 1 të këtij neni, përgjegjësia e transportuesit për çdo pasagjer kufizohet deri në 4150 SDR (4500 euro). Ky kufizim nuk respektohet në rast se provohet që dëmtimi shkaktohet nga neglizhenca e transportuesit, punonjësit ose agjentëve të tij, e bërë me qëllim për të shkaktuar dëm”. Në bazë të këtij Kodi të miratuar nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, kompania “Albania Airlines” duhet t’i paguajë nga 4500 euro secilit nga 110 pasagjerët që u nisën për në Bolonjë, por përfunduan në Bratislavë për kapriçon e pilotit. Ky është ndër rastet e shumta kur shtetas shqiptarë përballen me keqtrajtime apo shkelje të të drejtave të tyre në udhëtim, por denoncimi i tij në mënyrë publike pritet të sjellë ndëshkim ligjor për kompaninë “Albania Airlines”, ashtu siç është paralajmëruar edhe nga autoritetet shtetërore.

DPAC: Hetim deri në fund këtij incidenti të rëndë

Me anë të një njoftimi për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil bën të ditur se do t’u shkojë deri në fund hetimeve për incidentin e rëndë. “Ne si DPAC kemi vendosur kontakte që natën e kaluar me Drejtorinë e Aviacionit Civil sllovak dhe në bazë të procedurës standarde të Aviacionit Civil Ndërkombëtar, Bordi sllovak i Mbikëqyrjes së Incidenteve dhe Aksidenteve, nën juridiksionin e të cilit bie incidenti, po verifikon rrethanat e incidentit si dhe ka kërkuar raport të hollësishëm nga Air Slovakia”, - tha dje drejtori i këtij institucioni, Ervin Mazniku. Ai theksoi se është kontaktuar me autoritetet sllovake dhe pritet të vijë së shpejti një raport. Më tej DPAC bën të ditur situatën e 110 pasagjerëve që mbetën të bllokuar në Bratislavë dy net më parë. “Ajo që ka ndodhur dy net më parë me avionin dhe ekuipazhin e kompanisë ‘Air Slovakia’, të kontraktuar nga ana e kompanisë ‘Albanian Airlines’, është një rast mjaft i rëndë në historinë e Aviacionit Civil shqiptar dhe atë ndërkombëtar”, - deklaroi kreu i DPAC-së, Mazniku. Ai përfundoi duke theksuar se për këtë incident do të njoftohen edhe organet kompetente të komuniteti europian që merren me sigurinë në transportin ajror.
Box 2
Udhëtarët e avionit të bllokuar mbërrijnë në destinacion
Mbërritën në Bolonja pasditen e djeshme 110 pasagjerët e linjës “Albanian Airlines”, të cilët mbetën për afro 24 orë në Aeroportin e Bratislavës në Sllovaki. Udhëtarët, mes tyre disa gra dhe fëmijë, mbërritën në orën 18:00 në Bolonja, me një avion të tipit “Airbus 320”, me numër fluturimi LV 116, i cili erdhi nga Amsterdami, porositur enkas për pasagjerët që mbetën një ditë më parë në Sllovaki. Gjatë natës, pasagjerët fjetën në një hotel në Bratislavë dhe dje paradite, me autobusë u dërguan sërish në aeroport. Kompania “Albanian Airlines” tha se kishte marrë përsipër të gjitha shpenzimet e udhëtimit, qëndrimit e ngrënies së 110 udhëtarëve. Incidenti në fjalë u bë publik mbrëmjen e së dielës, ky familjarët e pasagjerëve vunë alarmin për mosmbërritjen e tyre në destinacionin e përcaktuar. Pas kësaj nisën menjëherë verifikimet, ku rezultoi se avioni i nisur nga aeroporti “Nënë Tereza” në orën 16:31, me destinacion përfundimtar Bolonjën, kishte përfunduar në Bratislavë. Sipas të dhënave paraprake u mësua se kishte qenë piloti sllovak i avionit ai që e kishte ndryshuar kursin e fluturimit, si një mënyrë presioni për mospagesën e rrogës. 110 pasagjerët e linjës Tiranë-Bolonjë qëndruam për rreth 5 orë në ambientet e Aeroportit të Bratislavës, ku vetëm rreth mesnatës u bë i mundur akomodimi i tyre në hotel dhe nisja e tyre për në Bolonja ditën tjetër.
Tentojnë të vjedhin një makinë, pranga dy adoleshentëve

TIRANË – Dy adoleshentë kanë tentuar të vjedhin një automjet në parkingun e një qendre tregtare; arrestohen dy adoleshentët. Ngjarja në fjalë ka ndodhur dy ditë më parë pranë një qendre tregtare në autostradën Tiranë-Durrës. Sipas policisë, D. Q., 15 vjeç dhe D. K., 17 vjeç, kanë shkuar në parkingun e kësaj qendre dhe kanë pikasur një automjeti tip “Benz” për ta vjedhur. Por ka qenë e pamundur të kryhej vjedhja falë rojeve të sigurisë, të cilët janë të shpërndarë në vende të ndryshme të qendrës tregtare. Rojet e sigurisë i kapën dy djemtë duke tentuar të vidhnin automjetin tip “Benz” me targë TR 3307 B, në pronësi të një shtetasi. U kryen veprimet procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një çelës mjeti dhe një kaçavidë. Materialet i kaluan prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”.
Dhunohet nga burri, kërkon mbrojtjen e policisë

DURRËS - Një 40-vjeçare ka denoncuar bashkëshortin e saj në polici pasi e dhunonte sistematikisht. Ditën e djeshme, në ambientet e Komisariatit të Policisë së Durrësit është paraqitur 40-vjeçarja L. P., lindur në Burrel e banuese në Durrës, me arsim të lartë, e martuar, me dy fëmijë, e cila ka deklaruar para oficerëve të policisë se bashkëshorti i saj, 40-vjeçari A. P., ka ushtruar ndaj saj në mënyrë sistematike dhunë fizike dhe psikologjike. Policia, fill pas regjistrimit të kallëzimit, plotësoi kërkesë - padinë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes dhe materialet procedurale i kaluan Gjykatës së Rrethit Durrës.

19 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›