E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Kundërproduktiv manipulimi i opozitës me forcat e natyrës”

Kryeministri Berisha shfajësohet për përmbytjet në Shkodër
TIRANË – Kryeministri Berisha ka shfajësuar veten dhe stafin e tij për përmbytjet e shkaktuara në Shkodër, ndërsa bojkotin e deputetëve socialistë e konsideroi një “shans të humbur”. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së dhe në seancën e jashtëzakonshme për gjendjen e emergjencës, ai u shpreh se vërshimi i mbi 4 miliardë metrave kub ujë nga kaskada e Drinit dhe lumenjtë ishte një fenomen natyror. Ai e konsideroi kundërproduktiv qëndrimin e opozitës me fatkeqësinë e ndodhur në zonat veriore të vendit dhe e ftoi PS-në që të reflektojë dhe të zgjedhurit e saj të zënë vendet në Parlament. Berisha bëri të ditur dje se do të ketë plane për zhvillimin e sipërfaqeve të përmbytura.

Faji i natyrës
Në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur në Kuvend fjalën e mori i pari kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili, situatën e krijuar nga përmbytjet në Shkodër e cilësoi edhe njëherë si fatkeqësi natyrore. Kreu i qeverisë i quajti spekulime të turpshme akuzat e opozitës për keqmenaxhim të situatës në hidrocentrale, duke theksuar se përmbytjet u shkaktuan nga fenomenet e rralla dhe të pazakonta që përfshijnë vendin në fundin e dhjetorit dhe në fillim të janarit. “Të gjitha spekulimet që bëhen përsa i përket menaxhimit janë amorale dhe të ulëta. Është e turpshme. Nëse ishte puna për të shitur energji, qeveria ime dhe KESH-i e shiste atë në tetor, në nëntor. E vërteta është që kaskada ka një rregullore, e cila harmonizon prodhimin e energjisë elektrike, mbrojtjen e digave, shmangien sa me të mundshme të përmbytjeve”, - theksoi Berisha përpara deputetëve të maxhorancës të pranishëm në sallën e Kuvendit. Berisha shtoi se sipërmarrja energjetike e vendit ka zbatuar pikë për pikë rregulloren, ndërsa nënvizoi se në asnjë moment nuk ka ekzistuar rreziku për çarjen e digave në hidrocentrale. “Qyteti kurrë nuk kishe asnjë kërcënuar nga digat. Digat janë një mbrojtje ndaj vërshimeve të Drinit”, - u shpreh kryeministri. Berisha theksoi se gjatë gjithë ditëve të vështira, objektivi kryesor ishte shpëtimi i jetës së njerëzve, objektiv që u arrit plotësisht. Në mbyllje të fjalës së tij kreu i maxhorancës tha: “Dua t’i garantoj qytetarët e Shkodrës dhe Nën-Shkodrës se kjo përmbytje do të shndërrohet në një kapitull të ri mundësish dhe projektesh në të cilat kjo qeveri do të bëjë që të përballohet çdo lloj përmbytje me kostot më minimale”.

Ftesë opozitës
Pak para seancës, por edhe gjatë saj, kreu i qeverisë i lëshoi një mesazh Partisë Socialiste. “Seanca për këtë qëllim u thirr me kërkesë të opozitës, kërkesë të cilën unë personalisht e vlerësova si një e drejtë dhe përgjegjësi e saj”, - tha zoti Berisha. Duke u ndaluar në vendimin e marrë dy ditë më parë në Asamblenë e PS-së, ai deklaroi: “Me një vendim zhgënjyes politik, ata që kërkuan të thirret seanca e jashtëzakonshme, nuk u lejuan dhe nuk lejohen që të marrin pjesë në debatin për një fatkeqësi madhore natyrore. Unë mendoj se ky është një gabim shumë i rëndë, sepse manipulimi me fatkeqësinë, manipulimi me forcat madhore natyrore, është politika më kundër produktive, më e gabuar dhe më e zhveshur nga çdo lloj morali”. Duke përsëritur kërkesën për deputetët e PS-së që të ulen në karriget e Kuvendit, Berisha përcolli mesazhin që këto kohë “të jenë orë reflektimi, në interesin më të mirë të forcës politike që kërkoi seancën, por edhe në interesin më të mirë të shoqërisë dhe të vendit”.
Në seancën e jashtëzakonshme kushtuar përmbytjeve në Shkodër, edhe kryeparlamentarja Topalli kritikoi qëndrimin e PS-së dhe ftoi sërish opozitën që kthehet në Kuvend. Ajo falënderoi të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e operacionit më të madh të emergjencës dhe theksoi se situata në Shkodër është drejt normalizimit. Edhe zonja Topalli u shpreh se fatkeqësia në Shkodër erdhi nga ngrohja globale, ndërkohë që premtoi dëmshpërblim për banorët e zonave të përmbytura dhe rindërtim të shtëpive që ende ndodhen nën ujë. “Angazhimi ynë është që kur fshatrat të dalin nga uji, do të bëhen më të bukura, kur të mbarojmë të gjithë këtë punë atëherë mbaron misioni ynë”.
Që më datë 2 janar zona e Nën-Shkodrës u përmbyt si pasojë e hapjes së portave të kaskadës së Drinit, prurjeve të lumenjve dhe reshjeve që përfshinë vendin. Mbi 2500 shtëpi dhe 11400 hektarë tokë u mbuluan nga uji. Aktualisht situata është drejt përmirësimit, por fatkeqësia ka ngritur debate të ashpra nëse ajo ishte ndëshkim i zotit, apo dështim i qeverisë.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vendosi dje që çdo deputet i tij të kontribuojë me 50 mijë lekë nga paga e vet, si ndihmë për të prekurit nga përmbytja e këtyre ditëve në qarkun e Shkodrës. Propozimi u bë nga një grup deputetësh dhe ai u miratua me unanimitet. “Mbledhja vlerësoi se, pavarësisht qetësimit dhe përmirësimit të situatës në zonat e përmbytura, është e domosdoshme që të mos shkëputet asnjë ditë vëmendja për të ndihmuar me të gjitha mjetet dhe mundësitë banorët në nevojë”, - thonë burimet zyrtare të selisë blu. Grupi Parlamentar i PD-së ofroi mbështetje për punën e qeverisë dhe të agjencive të tjera shtetërore, të angazhuara në terren për përballimin dhe kapërcimin e situatës së krijuar në qarkun e Shkodrës pas fatkeqësisë së rëndë natyrore. Deputetët e partisë kryesore të maxhorancës janë angazhuar për të ndjekur situatën deri në kthimin e gjendjes në normalitet të të gjithë zonës së përmbytur dhe në kompensimin e plotë të çdo qytetari të dëmtuar.

19 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›