E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmshpërblimi i përmbytjes, qeveria u shkurton me 20 për qind fondet ministrive

Ervion KOÇI

Dëmet nga përmbytjet e shkaktuara në Shkodër dhe Lezhë do të përballohen duke sakrifikuar paratë e investimeve publike të parashikuara për vitin 2010. Por vetëm kjo sasi parash duket se nuk i mjafton qeverisë, e cila për gjetjen e parave për të dëmtuarit ka parashikuar t’u shkurtojë edhe të gjitha ministrive nga 20 për qind të buxhetit për vitin 2010. Sipas kryeministrit Berisha, qeveria nuk mund të mjaftohet me fondet që vijnë në formë ndihme nga jashtë, por duhet të gjenerojë vetë para për të përballuar situatën. Ashtu siç theksohet edhe nga ekspertët e ekonomisë, qeveria do të kryejë një rishpërndarje fondesh në buxhetin e vitit 2010 duke shtyrë për në 2011, një pjesë të investimeve që ishin parashikuara të realizoheshin këtë vit. Por përveç kësaj reduktime masive do të kenë edhe shpenzimet operative të çdo dikasteri ministror, ku edhe një herë do të rishikohen të gjitha fondet e programuara për ta. Me kalimin e situatës emergjente, Ministria e Financave pritet të shqyrtojë edhe ndryshimet në buxhet. Nga kjo do të shihen edhe se cilat projekte do të shtyhen për vitin e ardhshëm.

Reduktimet

Pas publikimit të planit të Ministrisë së Financave për të reduktuar shpenzimet e buxhetit 2010, qeveria e ka marrë vendimin e uljes së shpenzimeve mbi bazën e tre varianteve të propozuara. Në datën 7 janar, kur u mbledh dhe Komiteti i Planifikimit Strategjik nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, u planifikua shkurtimi i fondeve për investime në masën 20 miliardë lekë dhe atyre të shpenzimeve operativeve me 5 miliardë lekë. Zbatimi i këtij plani mund të kryhet gjatë hartimit të buxhetit suplementar, ose i ndonjë akti tjetër, që gjithsesi do të kërkojë miratim të Kuvendit. Shkurtimi i investimeve me 20 miliardë lekë (mbi 220 milionë dollarë), prek gati 22 për qind të totalit të fondeve të planifikuara për punët publike. Pakësimi i këtyre fondeve do të prekë biznesin privat, kryesisht atë ndërtues, i cili një pjesë të aktivitetit e mban me fondet publike të qeverisë nëpërmjet pjesëmarrjes në tenderë.

Rishikimi i buxhetit

Me planin e shpenzimeve të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë në nëntor 2009 parashikohej një buxhet prej 411 miliardë lekësh dhe të ardhura prej rreth 360 miliardë lekësh. Por vlerësimet e fundit mbi ekonominë diktojnë një rishikim të planit. Ministria e Financave pret të kemi për 2009-ën një rritje ekonomike rreth 3 për qind (maksimumi 3.5) dhe mbi bazën e së cilës sugjerohet rishikimi i parametrave buxhetorë. Me shpenzimet agresive të kryera gjatë vitit elektoral, borxhi publik rrezikon të kapë majat e 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa tkurrja e buxhetit 2010 me 40 miliardë lekë, do ta afronte te 52 përqindëshi, afër objektivit të BE-së. Në parim ministri i Financave i kishte propozuar Kryeministrit reduktimin e buxhetit me afro 40 miliardë lekë, ose tkurrja të shtrihej në tre vitet e ardhshme, në mënyrë që të ulej borxhi. Në çdo fillim-viti qeveria rishikon kuadrin makroekonomik dhe fiskal, duke vendosur plane të shpenzimeve dhe të ardhurash për tre vite, si kusht i vendosur nga BE-ja. Mbi bazën e këtij kuadri, Ministria e Financave dhe institucionet e tjera kanë një ide të qartë sesi duhet t’i bëjnë planet, pa dalë jashtë objektivit. Në dokumentin e hartuar nga ministria, thuhet qartë se kriza ka tkurrur të ardhurat, ka shtrënguar kreditë, ulur remitancat dhe frenuar rritjen ekonomike.

BB i tërheq vëmendjen qeverisë: “Kujdes me buxhetin”

Zevendëspresidenti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, Filip le Ueru në një intervistë për Zërin e Amerikës u shpreh se ky vit do të jetë i vështirë dhe se nuk do të ketë një kthim të fortë të rritjes ekonomike. Për t’iu përgjigjur debateve të shumta rreth faktit nëse ekonomia e vendit tonë është prekur ose jo nga kriza, Le Ueru thotë që, “as Shqipëria nuk i ka shpëtuar krizës, por nuk arriti që të provoje efekte të forta financiare në ekonomi, kjo për shkak të një sistemi bankar mjaft elastik”. Le Ueru thotë se, duhet të tregohet një kujdes dhe vëmendje e veçantë në aspektin makro-ekonomik, ku kërkohet që të ketë politika fiskale dhe politika makro shumë të kujdesshme. Sipas Le Ueru, është e vështirë të përcaktosh se cilat duhet të jenë strategjitë që do të nxjerrin vendin nga kriza, cili do të jetë stimuli fiskal. “Kërkohet që të bëhet një menaxhim më efikas i shpenzimeve publike në një kohë kur ekonomia shqiptare gjendet para një situate ku të ardhurat nuk janë në rritje dhe kur nuk duhet një rritje e shpejtë e borxheve”, thotë Le Ueru. Sipas tij, në një kohë kur vendi ynë pretendon të kalojë nga një vend me të ardhura mesatare në një vend me të ardhura mesatare të larta apo akoma më shumë në një vend të pasur, faza e parë është liberalizimi i çmimeve. Për sa i përket rritjes së çmimit të energjisë përfaqësuesi i BB-së gjatë intervistës për Zërin e Amerikës tha që “nuk është anormale rritja e çmimit të energjisë pasi ai është një produkt që kushton dhe çmimi duhet patjetër të mbulojë kostot”. Por sipas tij, duhet përcaktuar një çmim real dhe i arsyeshëm dhe qeveria duhet të marrë masat për të mbuluar shtresat e varfra nga kjo rritje e çmimit.

METE: “Dritan Prifti një administrator dhe një politikan i aftë”

Ministria e Energjetikës ka reaguar dje në lidhje me deklaratën e deputetit socialist, Taulant balla i cili u shpreh se “Shkodra u përmbyt për shkak të korrupsionit me blerjen dhe shitjen e energjisë elektrike nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Sali Berisha”. “Për respekt të opinionit publik sqarojmë me keqardhje, Z. Balla se nuk po e bën bindëse punën e tij si papagalli i Partisë Socialiste me këto deklarata thashethemesh në kafenera apo kazino, ku përqendrohet në pjesën më të madhe të ditës së tij. Prandaj, Balla përpara se të informosh publikun, verifiko informacionin për të qenë i saktë dhe profesional, se ndryshe do të humbasësh respektin edhe kundrejt votuesve të tu”,- deklaroi METE. Sipas ministrisë se Energjetikës, menaxhimi i situatës aktuale në prefekturën e Shkodrës u monitorua dhe u falënderua nga e gjithë bota, duke u bazuar në analizë të detajuar për angazhimet e marr. “E gjithë kjo, falë eksperiencës shumëvjeçare dhe të suksesshme në këtë fushë dhe pranë kësaj ministrie të Z. Prifti që përveç Z. Ruli, asnjë politikan tjetër nuk e ka. CV-ja e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti është e publikuar në faqen e METE-s për të gjithë të interesuarit. Përsa i përket edukimit profesional, i sigurojmë Z. Balla se edhe një mësues anglishteje mund të jetë një lider i suksesshëm. Ndërkohë që nëse nuk e njeh Universitetin e “HARVARD”-it, ku Prifti është diplomuar për programin e Masterit 1 vjeçar me kohë të plotë për Administrim Publik, ku kanë përfunduar studimet përfaqësues të vlerave shumë të mëdha ndërkombëtare si: Z. Obama, President i SHBA-ve, Z. Bush ish President i SHBA-ve, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, ish Presidenti francez Zhak Shirak, si dhe figura të tjera të larta në nivel ndërkombëtar, dhe Universitetin e New Mexicos në SHBA ku Z. Prifti është diplomuar për programin e masterit 3 vjeçar me kohë të plotë në Administrim Biznesi, atëherë me keqardhje i drejtohemi publikut të kujdeset të shmangë dëgjimin ndaj shpifjeve të Z. Balla. Për fat të mirë z. Dritan Prifti nuk ka në CV-në e tij ndalime nga policia për dyshime në pjesëmarrje për trafikime droge. Lëri shpifjet Z. Balla dhe merru me borxhlinjtë që ke nëpër kazinotë e Tiranës” thuhej më tej në deklaratën e MTE-s.

BB: “Shqipëria do të humbasë 15 për qind të energjisë nga ngrohja globale”

Parashikimet e klimës projektojnë një rritje të thatësirave si rezultat i ngrohjes globale dhe ndryshimit të hidrologjisë. Sipas studimit të kryer nga Banka Botërore, këto ndryshime në Shqipëri mund të sjellin reduktim me rreth 15 për qind të prodhimit mesatar vjetor të energjisë elektrike nga hidrocentralet e mëdha (HECM) dhe 20 për qind nga hidrocentralet e vegjël (HECV) deri në vitin 2050. Pjesa më e madhe e vendit është përballur tashmë me reduktim të sasisë së reshjeve. Edhe asetet e tjera të energjisë nuk janë të imunizuara ndaj ndikimeve të klimës. “Rritja e temperaturave mund të reduktojë me rreth 1 për qind eficencën e linjave të transmetimit dhe atyre të shpërndarjes, si dhe të energjisë së prodhuar nga termocentralet (TEC-et) deri në vitin 2050”, thekson Banka Botërore. Nëse në të ardhmen do të ndërtohen TEC-e, të cilët do të ftohen me ujin e lumenjve, ato mund të ndikohen nga ndryshimet në rrjedhat e lumenjve, si dhe rritja e temperaturave të ujit në lumenj, duke ulur kështu më shumë eficencën e tyre. Për shkak të pasigurive mbi shpejtësinë e erës, si aktualisht dhe në të ardhmen, nuk mund të bëhen vlerësime mbi prodhimin e energjisë nga era. Gjithsesi, prodhimi i energjisë diellore në Shqipëri mund të përfitojë nga rënia e parashikuar e motit me re. Është vlerësuar që prodhimi nga energjia diellore mund të rritet me 5% deri në vitin 2050.

19 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›