E Diel, 1 Nëntor 2026

Milo: “Berisha do të jetë i detyruar ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme”

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, në një intervistë për gazetën “Albania”, përsa i përket krizës politike deklaroi se situata e përkeqësuar politike edhe nga faktorë të brendshëm do ta detyrojë kryeministrin Sali Berisha ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme në momentin e përshtatshëm kur ta gjejë opozitën të papërgatitur. Sipas Milos, kriza politike është një krizë politike e vetë politikanëve, është një krizë morale dhe personale e tyre, me alternativa jo më të besueshme për qytetarët shqiptarë. Përsa i përket krizës ekonomike, Milo u shpreh se këtë vit po shfaqen në mënyrë më agresive dhe rrjedhojat e saj, të cilat do t’i shohin shumë shpejt shqiptarët. Kreu i PDS-së sqaroi se shkurtimi i shpenzimeve dhe i investimeve nga buxheti i vitit 2010 do të ndikojë në shtimin dhe jo në zbutjen e papunësisë, të ngritjes së çmimeve të energjisë, të mallrave të konsumit etj.

Si e gjykoni krizën politike në vend dhe çfarë zgjidhje do të jepnit ju?

Problemi qëndron te këndvështrimi për t’u dhënë rrugëzgjidhje problemeve të akumuluara dhe që kanë precipituar në një krizë politike që ka për tendencë të thellohet dhe jo të zbutet. Kriza është komplekse. Nuk është vetëm një krizë e institucioneve dhe në momentin aktual një krizë parlamentare për shkak të mungesës së opozitës, por është edhe një krizë e qeverisjes, e cila manifestohet në disa drejtime, në mungesën e kapaciteteve të vullnetit politik për të zbatuar ato programe që u artikuluan gjatë fushatës elektorale dhe pas saj në formën e një programi qeverisës, një mpirje e administratës publike, e cila ndodhet në një trysni që vjen duke u rritur për shkak se konfrontimi politik e ka bërë atë të pasigurt. Kriza politike shfaqet veçanërisht në mungesën e kujdesit të institucioneve për t’u dhënë zgjidhje problemeve të mëdha të shoqërisë shqiptare që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në disa sektorë shumë të rëndësishëm, duke përfshirë këtu edhe Gjyqësorin. Në mënyrë të veçantë, kriza politike po thellohet gjithnjë e më shumë në raportet e qytetarit me qeverinë. Mungesa më e madhe e besimit që kanë shqiptarët te politika është një nga komponentët më të rëndësishëm të krizës politike që po jetojmë dhe zhgënjimi i tyre patjetër që do të reflektohet edhe në mbështetjen e alternativave politike. Është një krizë politike që e shohim dhe e prekim për çdo ditë, por që me të drejtë qytetarët kërkojnë rrugëzgjidhje. Kriza politike në radhë të parë është një krizë politike e vetë politikanëve, është një krizë morale dhe personale e tyre, është një krizë e alternativave që ata përfaqësojnë, të cilët nuk kanë alternativa të besueshme, të përpunuara për Shqipërinë dhe shqiptarët në këtë fazë të zhvillimit historik në të cilën ata ndodhen. Vendin e këtyre alternativave e kanë zënë demagogjitë politike dhe sociale. Për rrjedhim, unë mendoj se ky vend ka nevojë për një ballafaqim të ideve, koncepteve dhe të alternativave nga një shumësi aktorësh jo vetëm politikë, ku prej këtej mund të shfaqen në vend alternativa të reja. Për mua është e rëndësishme dalja në skenë e forcave të reja përkundrejt plakjes së alternativave aktuale, të cilat kanë dështuar t’u ofrojnë shqiptarëve rrugëzgjidhje.

Ka pasur një debat se bojkoti në një vend demokratik nuk është i lejueshëm, edhe kur një parti politike ka rezervat e saj për një çështje të caktuar, e cila nuk mund të ketë zgjidhje nëse nuk proteston. Cili është komenti juaj?

Unë e kam ndjekur debatin që në shtator të vitit të kaluar. Personalisht kam pasur dyshime për dobinë e bojkotit dhe e jam shprehur publikisht, por edhe në bisedime institucionale dhe private me drejtues të PS-së. Nga ana tjetër, u kam dhënë fjalën dhe i kam mbështetur me sinqeritet në mënyrë publike për veprimin e tyre politik, sepse kështu kam dashur të shpreh një solidaritet brenda opozitës dhe vazhdoj ta kem këtë pikëpamje edhe sot. Duke u nisur më tepër nga solidariteti dhe nga mbështetja që një parti politike e opozitës i jep një partie të madhe, sigurisht të opozitës. Kjo nuk më ka penguar që në raste të veçanta të jem kritik për mënyrën se si po artikulohet mënyra e të bërit opozitë dhe se si veprime të caktuara të opozitës në tërësi nuk kanë eficiencën e duhur. Ajo çka është e rëndësishme është të ketë një strategji të përcaktuar qartë se ku synohet të arrihet, me çfarë mjetesh dhe mënyrash dhe cilat do të ishin kartat rezervë, ato që quhen strategjitë dalëse nga një situatë e caktuar. Për mendimin tim, PS-ja ndodhet në një dilemë historike, ku një vendimmarrje sot ose e çon atë në një proces të projektuar në një kohë afatmesme, ose mund ta çojë atë në një dështim politik që do të ketë kosto shumë të lartë për vetë atë dhe lidershipin e saj.

Si e vlerësoni qëndrimin e deputetëve të LMN-së për t’u kthyer në Kuvend përkundrejt pjesës tjetër që duan të vazhdojnë bojkotin?

Debati që zhvillohet brenda PS-së për ta thyer bojkotin ose për ta respektuar atë, është pjesë e një debati normal brenda një force politike që nuk ka pse të vihet në rresht dhe nuk ka pse të keqkuptohet për sa kohë që një parti demokratike ka dhe duhet të ketë debat alternativash dhe mendimesh, qofshin këto dhe kontradiktore. Besoj se PS-ja duhet të ndërtojë shumë shpejt një roadmap të përballimit të situatës dhe një kalendar të qartë veprimesh politike me një pikësynim të caktuar, që për mendimin tim duket se do jenë zgjedhjet e pushtetit vendor. Nëse PS-ja këto 6 muaj që do të jenë përpara, deri në përfundim të sesionit të ri parlamentar, nuk hyn në Kuvend me Grupin e saj Parlamentar, atëherë në vjeshtë ajo hap një kapitull të ri të objektivave të saj politike, që janë zgjedhjet vendore. Jo më në funksion të pjesëmarrjes së saj, sesa në kërkim të një zgjidhjeje politike më të gjerë që tashmë është artikuluar dhe që mund të jenë zgjedhjet e parakohshme. Kam lexuar dhe kam dëgjuar nga individë të veçantë, nga politikanë apo analistë, për pamundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, i cili është një argument për të bindur Grupin Parlamentar të PS-së që të shkojë në Kuvendin e Shqipërisë. Zgjedhjet e parakohshme në të gjitha vendet demokratike parlamentare nuk janë një qëllim në vetvete për të plotësuar dëshirën apo synimet e një force të caktuar politike apo të një grupi politikanësh ambiciozë për pushtet. Zgjedhjet e parakohshme janë gjithnjë një metodë për të kapërcyer krizat apo për t’i zbutur ato dhe në të njëjtën kohë janë një strategji daljeje për gjithë shoqërinë, e cila është mbërthyer në këtë krizë me dëshirë apo pa dëshirën e vet, që mund të ketë ardhur nga numri i një sërë faktorësh objektivë ose nga keqqeverisja në një vend të caktuar. Në Shqipëri kemi një kombinim të rrethanave që për mendimin tim po favorizojnë gjithnjë e më shumë idenë e një zgjidhjeje politike përmes zgjedhjeve të parakohshme, e cila vjen edhe për shkaqe të brendshme, përfshirë këtu përmbytjet katastrofike, pasojat e së cilës do të ndihen shumë shpejt në ekonominë shqiptare.

Në pikëpamjen tuaj, si e shikoni situatën ekonomike për vitin 2010?

Efektet e krizës ekonomike këtë vit po shfaqen në mënyrë më agresive dhe rrjedhojat e saj do t’i shohin shumë shpejt shqiptarët. Shkurtimi i shpenzimeve dhe i investimeve që u afirmua dhe nga vetë ministri i Financave, Ridvan Bode, nga buxheti i vitit 2010, do të ndikojë në shtimin dhe jo në zbutjen e papunësisë, të ngritjes së çmimeve të energjisë, të mallrave të konsumit etj. Të gjitha këto do të krijojnë një pakënaqësi në rritje. Pa lënë mënjanë probleme të tjera të pazgjidhura, të cilat agravojnë situatën politike. Kemi një Gërdec me 26 njerëz të vrarë dhe me qindra të plagosur dhe me dëme të jashtëzakonshme, ku ende po kalojnë 2 vjet dhe nuk është zgjidhur. Kemi një rrugë, për të cilën u fol dhe u shkrua shumë, ku të gjithë dëshironin që një orë e më parë ajo të vihej në eficiencë, por që për shkak të ngutjes për ta shfrytëzuar për qëllime elektorale dhe siç u shfrytëzua është shndërruar në një gropë të zezë, ku derdhen paratë e taksapaguesve shqiptarë. Përmbytjet e fundit në rajonin e Shkodrës dhe të Lezhës që janë përtej optimalitetit të përmbytjeve që kanë ndodhur atje në të kaluarën, krijon përsëri një shqetësim të madh ekonomik dhe social. E gjithë kjo tablo politike dhe ekonomike nuk krijon optimizëm te qytetari i thjeshtë se kjo qeverisje do të mund të kryejë misionin e saj gjatë muajve në vijim. Për rrjedhojë do të jetë e detyruar jo se e do opozita, por do ta duan kushtet dhe perspektiva shqiptare që të kërkohet një zgjidhje e re politike.

Si do ta gjykonit qëndrimin e maxhorancës, e cila nuk ka kërkuar dialog me PS-në, por kryeministri Berisha kërkon të mbyllë kapitullin e hapjes së kutive duke u shprehur se kutitë nuk hapen me vendim të Gjykatës Kushtetuese?

Maxhoranca e ka gjetur që në fillim alibinë për të mos hapur kutitë e votimit dhe i përmbahet me besnikëri kësaj politike, duke gjetur një mburojë të Kolegjit Zgjedhor dhe vendimet që ai ka marrë për çështjet e ankimuara nga PS-ja në zgjedhjet e kaluara. Maxhoranca, me gjithë përpjekjet që ka bërë, me gjithë përfaqësuesit e saj politikë ose me analistët që bëjnë qëndrimet dhe pikëpamjet e saj, nuk ka mundur dhe nuk mundet dot që të anashkalojë një nen shumë të qartë të Kodit Zgjedhor që sot, kur dy anëtarë të KQZ-së kërkojnë hapjen e kutive të votimit dhe nisjen e procesit të rinumërimit të votave, nuk ka askush të drejtë ta pengojë. Çdo koment dhe çdo përpjekje për ta interpretuar këtë nen në mënyrë subjektive, për të çuar ujë në mullirin e maxhorancës, ka qenë e kotë dhe mbetet e kotë. Për rrjedhojë, maxhoranca do të vazhdojë ta konsumojë të ashtuquajturin argument juridik, por opozita e ka bërë dhe po e bën të qartë se ajo nuk ka vërejtje për vendimet që ka dhënë Kolegji Zgjedhor. Opozita kërkon të respektohet neni i Kodit Zgjedhor, dhe jo të sulmohet apo të keqinterpretohet vendimi i Kolegjit Zgjedhor. Këtu janë dy gjëra të ndryshme, por që maxhoranca qëllimisht i bashkon, sepse mbi këtë bazë është ndërtuar alibia për të justifikuar moshapjen e kutive. Personalisht kam kërkuar që të ketë hapje kutish jo vetëm për qarqet e Tiranës, Beratit dhe të Shkodrës, por dhe në qarqe të tjera, sepse është vjedhur me shumicë edhe në zona të tjera elektorale dhe Partia Demokracia Sociale e ka bërë të qartë, sepse ajo është vetë një nga viktimat e manipulimeve elektorale që janë bërë në Vlorë, Dibër, Korçë, Gjirokastër, Fier etj. Këtu procesi duhet të jetë më i gjerë dhe transparentë. Kështu, Shqipëria do ta zbuste përfundimisht këtë kapitull të zi të historisë politike në këto 20 vjet.

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se nëse opozita nuk kthehet në Kuvend, do të ulë listën poshtë vijës fituese, duke ua djegur mandatet, ndërkohë që konsulentë ligjorë bëjnë të ditur se ajo çka pretendon të bëjë Berisha nuk është e parashikuar as në Kushtetutë dhe as në Kodin Zgjedhor.

Berisha dhe kolegët e tij të PD-së, që dalin herë pas here dhe kërcënojnë në këtë masë, janë vetë të bindur se nuk do të ndodhë ajo që ata artikulojnë jo thjesht se mendojnë se do të ketë braktisje nga Grupi Parlamentar socialist për të shkuar në Kuvend. Kjo mund të jetë një shpresë, por që nuk i ngroh shumë për sa kohë që Grupi Parlamentar socialist do të qëndrojë jashtë dhe PS-në do ta përfaqësojnë ata që janë jashtë, dhe jo ata që janë brenda. Është fjala për institucionin e opozitës, dhe jo për individë të veçantë, të cilët është e drejta e tyre, brenda lojës politike demokratike dhe përplasjes së koncepteve dhe të alternativave, që të shkojnë në Kuvend. Jam i prirur të mendoj, duke pasur parasysh përvojën e viteve të shkuara, besoj se do të vijë një moment kur situata do të përkeqësohet aq sa vetë Berisha të kërkojë të shkojë në zgjedhje të parakohshme, si e vetmja alternativë e tij për të shfrytëzuar momentin për të pasur një zgjidhje të re politike, gjithmonë në favor të tij. PS-ja, nëse nuk futet në Parlament, Berisha do të thotë që në qershor kemi zgjedhje, në mënyrë që ta kapë opozitën të papërgatitur.

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, u ka bërë një ftesë deputetëve të PS-së për t’u kthyer në Parlament, duke i ftuar për të zhvilluar seancën e jashtëzakonshme për situatën në Shkodër në një kohë kur përmbytjet kishin marrë dhenë. Si e gjykoni gjestin e Topallit?

Znj. Topalli është jo vetëm kryetare e Kuvendit, por është dhe nënkryetare e Partisë Demokratike. Ajo bën lojën e vet politike brenda misionit që ka në të dyja kapacitetet e saj. Besoj se nuk ka ndonjë iniciativë personale në këtë rast; është më tepër një taktikë e përpunuar e lidershipit të PD-së që nga njëra anë mund të japë një mesazh që mund të shtojë pikët në opinion publik për një lëvizje politike transparente duke i thirrur deputetët për të ardhur me rastin e seancës së jashtëzakonshme. Nga ana tjetër, ka edhe elementin diversiv, për të përçarë më tej Grupin Parlamentar të PS-së. Deri këtu jemi në kufijtë e lojës politike, ku Topalli luan me çdo kusht si individ, por edhe si përfaqësuese e maxhorancës.

Si do ta vlerësonit rolin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në këtë krizë politike? Mendoni se z. Topi duhet të luajë një rol më aktiv dhe eficient në zgjidhjen e kauzës politike mes palëve?

Për mendimin tim, Presidenti ka dilemat e tij, të cilat po e ngurtësojnë atë në një pozicion që nuk është për t’u lakmuar. Presidenti ka sot shansin që në një krizë politike, sociale dhe ekonomike, duke u përkeqësuar, të shfaqet në dimensionin e tij real dhe kushtetues, për të dalë si një arbitër mbi palët dhe për t’i dhënë rrugëzgjidhje kësaj krize. Po kështu, Presidenti duhet të shfaqet në sytë e shqiptarëve jo si një lojtar politik i kategorisë së dytë, por duhet të kapërcejë dilemën që mendon se mund ta çojë edhe në përplasje institucionale, jo vetëm në emër të mbrojtjes të ligjit dhe të Kushtetutës, por edhe në emër të disa parimeve të larta morale dhe njerëzore që i imponohen kryetarit të shtetit në momentet kur shihet se lojtarët politikë të maxhorancës dhe të opozitës nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për t’u dhënë zgjidhje konflikteve apo krizave. Do doja të shikoja një President më aktiv, më të vendosur, më të fortë në ndërhyrjet e tij gjithnjë në emër të Kushtetutës, e cila i jep një numër të drejtash, ndonëse u përpoqën t’ia reduktojnë pozitën me ndryshimet kushtetuese të vitit të kaluar, përsëri Presidenti ka mjaft atribute.

Situatën e përmbytjeve në Veri të vendit do ta konsideronit një katastrofë natyrore, apo një katastrofë që ka ardhur për shkak të papërgjegjësisë së qeverisë?

Ajo çfarë ka ndodhur në Shqipëri, për nga parametrat natyrorë, është vërtet e jashtëzakonshme. Ka pasur prurje të jashtëzakonshme të ujërave nga arsye të ndryshme, që nuk është nevoja t’i shpjegoj. Ka pasur fenomene të tilla natyrore dhe hidrologjike, të cilat nuk kanë ndodhur më parë në përmasa të tilla në Shqipëri. Por kjo nuk përjashton në asnjë mënyrë hipotezën, sepse ende nuk është e vërtetuar dhe këtë do ta bëjë Drejtësia, e cila ka filluar të merret me procesin. Mendoj se gabimet njerëzore janë të pranishme në këtë proces ose kontribuuan në përmbytjen. Unë nuk dua të bëhem pjesë e debatit politik apo të akuzave reciproke deri në fyerje dhe banalitete. Jam i bindur që nuk ka vend për vlerësime superlative, siç po bën lidershipi i maxhorancës sot, për përgjegjësitë e këtij menaxhimi joprofesional, jo të mirë të regjimit të ujërave në kaskadën e Drinit.

19 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›