Rama: “Të dënohen shkaktarët e përmbytjes në Veri nga korrupsioni qeveritar”
Kryetari i Partisë Socialiste ka kërkuar dënimin e shkaktarëve të përmbytjes në Veri të vendit menjëherë pas seancës së jashtëzakonshme që u zhvillua ditën e djeshme pa praninë e opozitës. Kryesocialisti sqaroi se PS-ja e ka bërë të qartë se nuk ka kërkuar asnjë seancë. Ndërkohë, përpjekje të radhës për të budallallepsuar shqiptarët me përralla e ka quajtur fjalimin e kryeministrit Sali Berisha dje në Kuvend. Nga selia e PS-së, Rama ka pohuar se kjo është gënjeshtra e radhës dhe katastrofa e radhës, shkaktuar jo nga Zoti, por nga dora e njeriut, për të cilën shqiptarët duhet të paguajnë. Rama ka deklaruar se përmbytjet në Shkodër janë i treti dëm kolosal që i është shkaktuar vendit, pas Gërdecit dhe Kalimashit; e treta herë që populli duhet të paguajë për këtë dëm, ndërkohë që për të tretën herë Drejtësia shqiptare është e sfiduar nga një pushtet i korrupsionit dhe i paaftësisë që rrezikon të dalë i palagur.
Reagimi
Pas deklaratës së kreut të qeverisë, Sali Berisha, Rama shprehu sërish bindjen e opozitës se fatkeqësia e mbytjes së Shkodrës nuk u shkaktua nga dora e Zotit, por nga dora e robit dhe e qeverisë. Ndërsa e cilësoi përmbytjen e Shkodrës si “Gërdecin e ujit”, Rama theksoi se kjo është tragjedia e tretë e shkaktuar nga qeveria brenda 20 muajve të fundit. “Vriten njerëz në Gërdec, qeveria thotë Gërdeci voton për ne. Shemben tunelet në Kalimash, s’ka gjë, marrim të tjera borxhe nga xhepi juaj o shqiptarë. Zhyten nën ujë mijëra shtëpi, lemerisen mijëra njerëz dhe përsëri e njëjta gjë, Zoti ju zhyt, qeveria ju shpëton”, - u shpreh Rama. Ai i bëri thirrje ndërgjegjes qytetare të reflektojë ndërsa tha se përmbytjet në Shkodër nuk ndodhën nga Zoti, por nga dora e njeriut. “Të gjitha këto fatkeqësi në vetëm 20 muaj e kanë shkakun e tyre te kalbja e shtetit”, - tha Rama. Ai shtoi se në Asamblenë Kombëtare të PS-së u paraqitën prova e fakte për shkaktimin e përmbytjeve nga kjo qeveri, ndërsa maxhoranca sot artikuloi vetëm sajesa në Parlament. Kryesocialisti, argumentet shefit të qeverisë i ka konsideruar gënjeshtra të radhës dhe sajesa pa fund, me qëllim për t’i larguar nga përgjegjësia faktet dhe provat e korrupsionit qeveritar që shkaktoi përmbytjet në Veri. “Në vend të fakteve, vetëm gënjeshtra; në vend të provave, vetëm fletëlavdërime të një gjoja operacioni të suksesshëm shpëtimi; në vend të argumenteve, vetëm sajesa dhe më keq akoma, sulme ndaj opozitës. Duke filluar nga gënjeshtra se opozita e kishte kërkuar atë mbledhje, ndërkohë që mbarë media është e mirinformuar se këtë seancë e dikton Kushtetuta e Shqipërisë dhe ata janë të detyruar ta mbledhin seancën", - tha Rama.
Protestat
Duke marrë shkas nga situata në vend dhe nga gënjeshtrat e qeveritarëve, kreu i PS-së deklaroi se opozita do të vazhdojë protestat dhe ndërkohë u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të arrijnë të kuptojnë të vërtetën, dhe jo sajesat e kryeministrit Berisha. “I bëj apel ndërgjegjes kombëtare dhe qytetare të të gjithë shqiptarëve e shqiptareve, pavarësisht bindjeve dhe përkatësive të tyre, që të shohin dhe dëgjojnë duke u munduar të kuptojnë të vërtetën dhe të luftojnë për të vërtetën”. Protestat e opozitës, sipas këndvështrimit të Ramës, nuk do të lejojnë që ky regjim i gënjeshtrës, siç e cilëson kreu i PS-së, të shkaktojë një tjetër fatkeqësi në zinxhirin e fatkeqësive të njëpasnjëshme. “Dua ta ritheksoj, se ajo që ndodhi me Shkodrën për shkak të dorës së paaftë dhe për shkak të këtij pushteti të korruptuar, është një arsye më shumë që opozita të thërrasë gjithë popullin në protestë, për të dalë nga ky rreth vicioz krizash që kanë hyrë dhe po brejnë përditë e më shumë shoqërinë shqiptare, duke vrarë përditë e më shumë ëndrra dhe shpresa në këtë vend”, - theksoi Rama.
PS, Gjermeni: “Qeveria t’u japë asistencë në dorë familjeve të dëmtuara”
Partia Socialiste ka ripërsëritur thirrjen se qeveria duhet t’u japë asistencës financiare, me lekë në dorë, të gjitha atyre familjeve të dëmtuara nga përmbytja. Deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni, e ka cilësuar tallje ndihmën e qeverisë prej 75000 lekësh të vjetër për qindra familjet e dëmtuara. “Kjo qeveri po tregon edhe njëherë se nuk ka fare lidhje me gjendjen e emergjencës së shkodranëve që vetë i përmbyti. Të premtosh se këtyre qindra familjeve do t’u jepen 75 000 lekë të vjetër në muaj është të tallesh me të gjithë këta shqiptarë, për të dytën herë”, - u shpreh Gjermeni, duke shtuar: “Pasi u përmbyti shtëpi e katandi, pasi u shfarosi të mbjella e bagëti, duke lënë qindra familje pa burimin e jetesës së përditshme, Sali Berisha tallet me këta shkodranë kur kërkon t’u mbushë mendjen se në kushtet e emergjencës në të cilën ata ende gjenden, mund të mbijetojnë me 2500 lekë të vjetër në ditë. Po, po. Sali Berisha po u premton familjeve të cilave me papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e tij u shkaktoi Gërdecin e ujit, se do t’i ndihmojë për të mbijetuar me 2500 lekë të vjetër në ditë. 2500 lekë për çdo familje me të paktën 4 anëtarë! Pra 2500 lekë në ditë për minimalisht 4 veta”. Sipas deputetes Gjermeni, asistenca reale mund t’u sigurojë të gjitha këtyre familjeve mbijetesën gjatë këtyre ditëve të vështira, ndoshta më të vështirat që kanë përjetuar ndonjëherë. Gjermeni shprehet se dëmshpërblimet që premton Berisha janë për nesër, ndërkohë që shkodranëve u duhet të mbijetojnë sot.
19 Janar 2010