Padia e Dritan Priftit për Fierin: PS-LSI më vodhën 10 mijë vota
KQZ shqyrton të hënën ankimimet e partive politike
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë për ditën e hënë shqyrtimin e ankimimeve të partive politike, lidhur me procesin zgjedhor të 23 qershorit. Në paditë e depozituara nga forcat politike është ajo e Lëvizjes Socialiste për Integrim për rezultatin zgjedhor në qarkun e Kukësit. LSI kërkon rinumërim dhe rivlerësim të votave në 15 kutitë e Tropojes, të cilat i përkasin qarkut të Kukesit. Për qarkun e Shkodrës, gjithashtu ka një kërkesë ankimore, ku PR pretendon një mandat deputeti. Ndërkohë për qarkun e Lezhës ku PD morin mandatin e katërt pas konstatimit të parregullsive në procesverbalet e KZAZ-së nr.13, është PS që e kundërshton. Së bashku me ankimimet për Lezhën, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pritet që numri i ankimimeve te shkojë në rreth 40 të tilla.
Dritan Prifti: Rinumërim në Fier/Gjithashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar për shqyrtim edhe kërkesën e Dritan Priftit për rinumërimin dhe rivlerësimin e votave në 10 ZAZ të Fierit, zonë ku ai kandidoi si deputet i pavarur. “Unë e kam rastin më institucional. Zoti Dritan Prifti ka kandiduar në Qarkun Fier dhe ankohet kundër vendimit të KQZ për nxjerrjen e rezultatit të zonës Fier. Ai kërkon rinumërimin dhe rivlerësimin e vota për 10 ZAZ të qarkut fier. Ankuesi është legjitim”- u shpreh në mbledhjen e KQZ-së, anëtari i këtij institucioni, Hysen Osmanaj, që është edhe relator i çështjes. Në ankesën e tij kandidati Prifti vë në dukje se nga ana e KZAZ-ve nuk janë lejuar vëzhguesit e ankuesit, si kandidat i mbështetur nga zgjedhësit për të hyrë dhe për të qenë prezent në ambientet e Vendeve të Numërimit të Votave për të monitoruar procesin e numërimit, duke shkelur kështu kodin zgjedhor. Kandidati i pavarur në qarkun e Fierit, Dritan Prifti u tërhoq nga procesi i numërimit të votave të 23 qershorit, me pretendimin se PS dhe LSI i kanë vjedhur 50% të votave. Në një prononcim për mediat, Prifti sqaroi se atij i janë vjedhur rreth 10 mijë vota.