Ndarja e mandateve nga Kolegji Zgjedhor, KQZ s’ka numrat
Flet anëtari i KQZ, Klement Zguri
Në kohën kur puna e KQZ është drejt fundit dhe pritet shpallja e rezultatit përfundimtar, Klement Zguri, anëtar i Komisionit deklaron se KZQ në mungesë të shumicës së cilësuar, 5 vota pro, nuk mund të bëjë ndarjen e mandateve. Kjo kompetencë sipas Zgurit i shkon direkt Kolegjit Zgjedhor dhe pasi kjo procedurë të ketë përfunduar, atëherë KQZ është në të drejtën e tij ligjore të bëjë dhe shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 23 qershorit. “Proceset janë shoqëruar me një tendencë bllokuese për administratën zgjedhore, pasi subjektet politike zgjedhin mënyrën si garojnë me kundërshtarin. Nuk është e lehtë funksionimi me 4 anëtarë në KQZ. Duke qenë në një trysni akuzash të pabaza, ne arritëm të organizojmë dhe administrojmë procesin dhe shumë shpejt do kemi dhe rezultatin përfundimtar. KQZ me katër anëtarë për hir të vërtetës nuk mund të certifikojë zgjedhjet, kështu që Kolegji Zgjedhor ka kopetencën dhe të drejtën për të zgjidhur vendimet që kërkojnë 5 vota. E kemi të pamundur ndarjen e mandateve. Vetëm pasi Kolegji të bëjë ndarjen e mandateve, KQZ ka gjithë të drejtën dhe kompetencat të shpallë rezultatin zgjedhor”- tha ai. Ndërsa aktualisht kanë në dorë 32 ankimime të subjekteve politike, për Zgurin tre janë zonat më të nxehta ku rezultati mes partive është shumë i ngushtë dhe mund të kemi ndryshim të mandateve, Lezha, Shkodra dhe Kukësi. Lidhur me rastin e Lezhës, Zguri deklaroi se zgjidhja ideale dhe pa hije dyshimi mbrapa do të ishte rinumërimi i kutive për 10 Qendrat e Votimit.