Padia e Nexhmijes për Fevziun, hetim në Arkiv

Blendi Fevziu (majtas) Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha
Prokuroria: Do verifikojmë mënyrën e administrimit të ditarëve e videove.
Arkivi Qendror i Shtetit është institucioni i parë ku do të trokasë Prokuroria pas padisë së Nexhmije Hoxhës për nxjerrjen e sekreteve personale të Enver Hoxhës në librin e gazetarit Blendi Fevziu. Një zyrtar i Prokurorisë së Tiranës tha dje për gazetën Panorama se kallëzimi i mbërritur me postë katër ditë më parë, është hapur dhe lexuar e është vendosur të kalohet për verifikim. Por, ende nuk është kryer ndonjë veprim konkret me padinë, madje dosja nuk ka marrë ende numrin e procedimit, thanë dje burimet nga Prokuroria. Procedura rutinë është që kur një dosje regjistrohet në procedim, ajo emërohet me një numër rendor që njihet si numër procedimi. Sipas Prokurorisë, nga shqyrtimi i përmbajtjes së kallëzimit mësohet se familja Hoxha, konkretisht e veja e Enverit, Nexhmija, djali i saj Iliri dhe gruaja e këtij të fundit, Teuta, pretendojnë se fakte të publikuara në librin e gazetarit Blendi Fevziu janë marrë nga dorëshkrimet e ditarit personal të Enver Hoxhës, por edhe nga disa filmime private të tij. Paditësit e akuzojnë gazetarin Fevziu për publikimin e këtyre materialeve, duke iu referuar nenit 122 të Kodit Penal që bën fjalë për përhapjen e sekreteve vetjake. Sipas Kodit Penal, neni në fjalë parashikon përhapjen e një sekreti që i përket jetës private të një personi nga ai që e siguron atë për shkak të detyrës ose të profesionit, kur detyrohet të mos e përhapë pa qenë i autorizuar. Juristët mendojnë se për sa kohë që një material është dorëzuar në arkiv, dhe për sa kohë nuk ka shënime ligjore për klasifikimin apo sekretin e materialit, çdo dokument është i hapur dhe mund të shikohet nga kushdo për arsye leximi, kurioziteti apo studimi e publikimi nga kushdo. Nga ana tjetër, Prokuroria tha se do të kërkojë në Arkivin e Shtetit dokumentet e pretenduara nga familja Hoxha, letërkëmbimin e Arkivit me gazetarin Fevziu për momentin e kërkesës për dokumentet dhe dhënien në dorëzim të tyre. Objekti i hetimit të Prokurorisë do të jetë edhe çështja e dytë që prek padia e familjes Hoxha, padi që bën fjalë për zhdukjen e filmimeve personale të Enver Hoxhës nga Arkivi i Shtetit. Organi i akuzës tha se ka indicie që tregojnë se fillimisht duhet verifikuar nëse filmimet origjinale janë dorëzuar në arkiv dhe më pas, nëse kanë qenë ndonjëherë aty, mund të hetohet për zhdukjen e tyre. Nga burime të hetimit mësohet se Arkivi i Shtetit vitet e fundit ka dixhitalizuar materialet filmike të tij dhe gjatë këtij procesi, shiritat e regjistrimeve janë dëmtuar në mënyrë të parikuperueshme, pasi vetë procedura e kalimit të pamjeve në sistemin dixhital është e tillë. Pak kohë pas botimit të librit të gazetarit Blendi Fevziu, e veja e Enver Hoxhës reagoi ashpër duke vënë nën faj shpeshherë edhe Arkivin e Shtetit për zhdukjen e dorëshkrimeve origjinale të ditarit të Enver Hoxhës, si dhe të pamjeve filmike private të tij. Libri i gazetarit Fevziu ka shkaktuar reagime të forta në disa qytete të Shqipërisë e madje edhe në Kosovë, ku përfaqësues të Partisë Komuniste apo simpatizantë të saj e kanë djegur botimin në fjalë në mënyrë demonstrative dhe publikisht.
TRAZHGIM SOKOLAJ